English

Baraj jep arsyet e dorëheqjes: Kam përgjegjësi për manipulimin e votës

Tiranë, 7 shator 2011, NOA – Një ditë pas dorëheqjes nga posti i kreut të PS-së për Tiranën, Besnik Baraj ka shpjeguar për mediat arsyet e vendimit të tij personal. Ndjenjë përgjegjësie për Tiranën, e ka cilësuar Besnik Baraj dorëheqjen. “Pas 6 vitesh në krye të PS-së Tiranë ku kam provuar shijen e suksesit por dhe natyrisht shijen e hidhur të vjedhjes së votës, manipulimit, sikurse ishte rasti i fundit, i cili u paraqit në formën më skandaloze në sy të publikut por dhe të atij ndërkombëtar, unë marr këtë përgjegjësi morale. Them se mund të kisha bërë më shumë për mundësinë e minimizimit të këtij manipulimi”, tha Baraj sot për mediat. Ai deklaroi se kjo ishte koha optimale për të bërë veprime, pasi në muajin shtator dolën edhe rezultatet për Tiranën. “Në këtë interval kohor 6-vjeçar kam shijuar suksesin dhe shijen e hidhur të manipulimit dhe vjedhjes së votës dhe në këto rrethana ndjej përgjegjësinë se ndoshta mund të kisha bërë më tepër në këtë drejtim dhe këtë e reflektoj nëpërmjet dorëheqjes sime, duke i lënë hapësirë deputetëve të tjerë. Akti im i dorëheqjes është veprim modest në tablonë politike shqiptare”, shprehet ish kreu i socialistëve të Tiranës. Baraj, njëherësh deputeti i PS në Kuvend deklaroi se, sipas tij, Edi Rama është çuditur për dorëheqjen. Vetë Baraj ka vlerësuar pasuesin e tij Sajmir Tahiri për postin e kreut të PS-së në kryeqytet dhe premtoi se do të jetë i angazhuar maksimalisht në drejtim të jetës së partisë dhe fushatave elektorale. Tahiri do të vijojë të drejtojë degën kryesore të PS-së, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, para kongresit të 5 nëntorit. Pritet që në javët që vijnë, të bëhen edhe zgjedhjet për kreun e ri të PS-së për Tiranën, në bazë të vendimit që u mor edhe në Asamblenë e fundit Kombëtare. Nga ana tjetër duket se Saimir Tahiri është një nga kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e kësaj partie, pas rezultatit fitues që ai arriti si deputet, në drejtimin e fushatës në zonën e Kombinatit. Besnik Baraj është aktiv në Partinë socialiste që prej fillimit të vitit 2000. Nga 2003- 2005, në kohën e qeverisë Nano, Baraj mbajti disa poste zv.ministrash dhe pas humbjes së PS në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2005, baraj u zgjodh kryetar i PS-së për Tiranën e njëherësh edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë së partisë. a.q/NOA

KOMENTE