English

Berisha: Lufta kundër korrupsionit duel i përjetshëm që fitohet me transparencë

Tiranë, 7 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Lufta kundër korrupsionit është beteja më e vështirë, por ajo mund të fitohet duke e luftuar këtë fenomen me transparencë. Kështu u shpreh sot kryeministri Sali Berisha gjatë konferencës rajonale për antikorrupsionin që po mbahet në Tiranë, ku merrte pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Shefi i ekzekutivit deklaroi se antikorrupsioni është një duel i përjetshëm dhe thelbësore për ta luftuar atë është transparenca, që sipas kryeministrit nënkupton vullnetin e mirë për ta luftuar në themel këtë plagë të shoqërisë. Kryeministri tha se korrupsioni është një fenomen i rrezikshëm social, andaj duhet që të ndërmerren përpjekje të gjithanshme për të sjellë në rrugën e drejtë shoqërinë. Në këtë kuptim shefi i ekzekutivit tha se për qeverinë e tij është parësore ndërmarrja e të gjitha reformave për të luftuar korrupsionin në çdo hallkë e çdo fushë të shoqërisë. “Kjo është një betejë afatgjatë dhe tejet thelbësore për të ardhmen e vendit”, nënvizoi kryeministri duke inkurajuar adaptimin e praktikave të duhura për transparencën në vendimmarrje. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria e tij është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit, për të cilën ai i ftoi të gjithë edhe opozitën të bashkëpunojnë për të luftuar dhe zhdukur këtë fenomen të rrezikshëm. “Nuk duhet të biem pre e korrupsionit”, tha kryeministri, duke përmendur edhe projektet e qeverisë për antikorrupsionin, njëri prej të cilëve është numërimi elektronik. Sipas kryeministrit falë projekteve të mira qeveria ia doli të kishte arritje të mëdha në luftën kundër korrupsionit duke patur 100 përqind prokurime elektronike. “Korrupsioni është një kancer dhe ai mund të luftohet në çdo fushë”, tha zoti Berisha, duke përshëndetur arritjen në fushën e mbrojtjes, ndërsa kujtoi se mbrojtja dhe siguria janë parësore në këtë luftë sipas tij të përjetshme. mit/NOA

Në foto: Kryeministri Sali Berisha

KOMENTE