English

Drashkoviç: Serbia ka alternativë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Beograd, 7 shtator 2011, NOA – “Serbia duhet ta pranojë Kosovën si fqinjin më të afërt dhe më të veçantë”, deklaroi Vuk Drashkoviç, kryetari i Partisë Serbe të Ripërtëritjes, në konferencën e organizuar mbrëmë nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd. Duke folur me karta të hapura, Drashkoviç edhe pse deri tani kishte folur për fqinjësi të mirë, ndryshim politikash, deklaroi më në fund se “Serbia duhet ta njohë Kosovën”, raporton gazeta kosovare Koha Ditore. Sipas Drashkoviç Kosova është shteti i vetëm që ka dalë nga ndarja me Serbinë. “Me këtë Kosovë duhet të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike sikurse ato të dy Gjermanive apo Kinës e Tajvanit”, tha Drashkoviç. Ish-kryeministri serb, theksoi se Serbia mund të pranojë pjesën e Planit të Ahtisaarit që nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës. “Preambula është njëlloj si të bënim një ligj ku do të shkruhej se serbët kanë krahë dhe duhet të fluturojnë”, është shprehur Drashkoviç, duke sqaruar pjesët e preambulave për Kosovën dhe Kushtetutën e Serbisë. Ndërkohë, Çedomir Jovanoviç, kryetari i Partisë Liberaldemokratike, tha se kancelaria gjermane Angela Merkel kur vizitoi Beogradin mëse dy javë më parë foli për një qëndrim të ri të Perëndimit ndaj Serbisë. Sipas Jovanoviç kjo ka të bëjë me paaftësinë e Serbisë për të zgjidhur problemet e veta dhe ky problem do të zgjidhet duke anashkaluar serbët. mit/NOA

KOMENTE