English

Drogë dhe prostitucion, shqiptarët terror në Itali

Padova, 7 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një sulm i rëndë ka tronditur qytetarët e Padovas në Itali, ku krismat e armëve nuk janë kursyer as në ambientet e një pallati ku më shumë se shqiptarët protagonistë të ngjarjes, janë terrorizuar banorët e zonës përreth. Duket se një prishje pazari mes tyre, a ndoshta një ndërhyrje në territorin e ndarë ku zhvillonin aktivitetin kriminal shpërndarje droge dhe prostitucion, është kthyer në makthin e qytetarëve të Padovas ku nën sytë e dëshmitarëve, një shqiptar masakroi me plumba pistolete dy bashkëkombas të tij. Sipas policisë italiane 23 vjeçari Vladimir Shkëmbi (Shikambi) me një numër të lartë precedentësh penal, qëlloi me breshëri plumbash të dalë nga pistoleta disa bashkëkombas të tij, duke plagosur rëndë 31 vjeçarin me iniciale B.K , i cili është ende në listën e të rrezikuarve për jetën në spitalin e Padova-s. Ngjarja ka ndodhur hyrjen e një pallati katër katësh në zonën Paltana, në Padova. Agresori pas plagosjes u largua dhe pas identifikimit të bërë nga karabinierët, të cilë bënë të mundur që ta kapin disa orë më vonë, pas dëshmive të dhëna si dhe nga përgjime të telefonisë në një zonë disa kilometra larg vendit të ngjarjes. I dyshuari pas një qëndrimi të shkurtër në shtëpinë e bashkëkombasve të tij, është larguar nga Padova me tren dhe pas kërkimeve të bëra nga ana e policisë ai u lokalizua në një provincë të Firences në shtëpinë e një kushëriri të tij, i cili e kishte strehuar. Karabinierët e Padovas së bashku me kolegët toskanë rrethuan ndaj të gdhire banesën e Shkëmbit dhe e bllokuan atë në kohën që ishte duke dalë, ndërsa nuk u gjet asnjë armë tek i arrestuari. Disa ditë më parë shqiptari ishte arrestuar sepse ishte kapur në Padova me disa gramë kokainë, përveç dokumenteve false. Gjatë operacionit të ngarkuar, 23 vjeçari ishte përpjekur që të fuste drogë për njërin nga bosët e drogës në zonën Portello të Padovas, duke futur në një bidon, oriz të përzier me kokainë. Ndërkaq nga ana e policisë nuk përjashtohet pista, që përveç drogës, mund të jenë të përfshirë edhe dy të plagosurit e tjerë, të cilët dyshohen të jenë të lidhur për shfrytëzim prostitucioni. Por aktualisht ndaj Shkëmbit është ngritur akuza për atentat të dyfishtë deri në përfundimin e plotë të hetimeve, ndërsa pista e ngjarjes mendohet të jetë prishje pazari mes tyre. a.y/NOA

KOMENTE