Elbasan, 7 shtator 2011, NOA- Policia e Elbasanit ka zbardhur emrat e të dëmtuarve në aksidentin e ndodhur rreth dy orë më parë në aksin rrugor Zavalinë- Elbasan, nga ku rezulton se janë anëtarë të një familje. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se, ngjarja ka ndodhur në fshatin Jaranishtë dhe se nga aksidenti ka dalë nga rruga një mjet tip fuoristradë, me targa EL 3405 B, me drejtues Engjëllush Peçin, 25 vjeç. Theksohet se si rrjedhojë e daljes nga rruga dhe përmbysjes së makinës janë aksidentuar Q.Peçi, 50 vjeç, K.Komini 48 vjeç, D.Komini 45 vjeç, P.Komini 42 vjeç, M.Komini 30 vjeç dhe E.K, 15 vjeç, që të gjithë banues në fshatin Kabash, Komuna Porocan-Gramsh. Mësohet se të gjashtë të plagosurit janë dërguar urgjentisht ne spitalin kirurgjik Elbasan, ku janë në gjendje të rëndë shëndetësore. a.y/NOA