English

Jahjaga-Rasmussen: Me Serbinë duhet zgjidhje e qëndrueshme

Bruksel, 7 shtator 2011, NOA- Në kuadër të vizitës së saj në Bruksel Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Që në fillim të takimit, Rasmussen, e vlerësoi vizitën e Presidentes në Bruksel dhe takimet e saj me zyrtarët e lartë evropianë, si të mirë dhe të frytshme në prezantimin e qartë të çështjeve aktuale dhe të vizionit të Kosovës. Në vijim ai tha se forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, vazhdojnë të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe vlerësoi punën e saj në kryerjen e mandatit. Sekretari i NATO-s, shtoi se NATO-ja ishte e shqetësuar me situatën e krijuar në veriun e Kosovës, por mirëpriti shtendosjen e saj në javët e fundit. Ai theksoi gjithashtu se NATO i jep mbështetje të fuqishme komandantit të KFOR-it dhe vlerësoi se marrëveshja e mirëkuptimit e arritur me palët e ka qetësuar situatën. Sakaq ai e cilësoi si të një rëndësie të veçantë gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe u angazhua për një progres më të madh në terren, duke shtuar se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje, madje garantoi për ndihmën në vijimësi nga ana e NATO-s. Nga ana e saj Presidentja Jahjaga u shpreh se, forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë është institucioni më i vlerësuar dhe më i respektuar, që kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Presidentja Jahjaga tha se aksioni i Policisë së Kosovës, në pikat kufitare 1 dhe 31 ishte sipas vendimit të Qeverisë për zbatimin e masave të reciprocitetit dhe ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo tha se kontrolli në gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të kontrolluar tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj. Presidentja e Kosovës u shpreh se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të normalizuar gjendjen dhe e vlerësoi arritjen e marrëveshjes të ndërmjetësuar nga KFOR-i. Jahjaga e vuri theksin te integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm për vendin dhe theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të orientuar drejt integrimit në BE. Presidentja e Republikës së Kosovës vlerësoi ndihmën e NATO-s në përgatitjen dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale dhe tha se FSK do të duhej të merrte pjesë në nismat dhe misionet e NATO-s në rajon dhe botë. a.y/NOA

KOMENTE