English

Këshilltarët e PS kërkojnë shkarkimin e kreut të Policisë Bashkiake

Tiranë, 7 Shtator 2011 NOA/ Albana Qehajaj - Këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar sot mbledhjen e jashtë rendit të këtij institucioni. Me anë të një letre, dërguar kryetarit Njazi Kosovrasti, këshilltarët e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, kërkojnë shkarkimin e kreut të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, për incidentin e ndodhur dy ditë më parë me dy punonjëse të këtij institucioni. Në letrën e dërguar nga kreu i këshilltareve, Aldrin Dapipi theksohet se për ngjarjen e ndodhur në ambientet e policisë bashkiake duhet të ndërmerret largimi nga detyra i kreut të kësaj policie. “Akti i presionit, dhunimit dhe goditjes për shkak të detyrës nga Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ndaj dy grave punonjëse te Drejtorisë te Përgjithshme të Taksa dhe Tarifave Vendore, Bashkia Tiranë. Për këtë rast disponohen dhe prova filmike të fyerjeve dhe veprimeve tërësisht në kundërshtim me ligjin nga drejtori i Policisë Bashkiake i shoqëruar nga civilë, të cilët rezultojnë të jenë efektive të Policë së Shtetit. Ne kërkojmë largimin nga detyra të Drejtorit të Policisë Bashkiake të Tiranës për aktin e rëndë të dhunës fizike dhe verbale”, thuhet në letrën e Këshilltarëve të Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, këshilltarët kërkojnë që në këtë mbledhje të diskutohet dhe debatohet edhe për shkarkimet në Bashkinë e Tiranës. Sipas këshilltarëve të majtë, shkarkimet janë të pamotivuara. “Ne kërkojmë të na vihet në dispozicion një informacion i detajuar mbi të gjithë largimet masive te punonjësve te kryera gjatë periudhës gusht-shtator 2011, motivet pse janë shkarkuar si dhe numri total i këtyre punonjësve”, thuhet në letrën e këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës. Duke ju referuar ligjit për pushtetin vendor, këshilltarët e majtë, kërkojnë që mbledhja të diskutojë dhe për veprimtarinë e drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, të cilët sipas të zgjedhurve të majtë, “në kundërshtim me Liritë, të Drejtat Kushtetuese dhe Kodin e Punës kanë ndërmarrë një fushatë spastrimesh masive ndaj punonjësve të administratës së kësaj bashkie”. a.q/a.k/NOA Në foto: Florenc Hoxha. Foto: NOA/LSA

KOMENTE