Athinë, 7 shtator, NOA - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Janis-Alexis Zepos do të kryejë një vizitë pune në Tiranë, gjatë ditës së nesërme.
Kjo vizitë është konfirmuar për agjencinë e Lajmeve NOA nga vetë dikasteri i diplomacisë greke, duke shtuar se gjatë saj, Zepos do të takohet me homologun e tij shqiptar, Gazmend Turdiu.
Në të njëjtën kohë, ai do të pranohet në një takim të veçantë edhe nga kryeministri shqiptar Sali Berisha, si dhe zv/kryeministri dhe njëkohësisht, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Nuk bëhen me dije arsyet e vërteta të kësaj vizite të diplomatit të lartë grek, por aludohet se temat kryesore të takimeve të tij me palën shqiptare do të jenë ato të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si edhe ai në kuadrin rajonal.
Vizita e beftë e Zeposit bëhet në një kohë kur vetëm para dy ditësh në vendin tonë mbërriti një delegacion i Këshillit të Evropës për Minoritetet dhe u diskutua me palën shqiptare mbi mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Por edhe në kuadrin e ashpërsimit të mëtejshëm të krizës ekonomike greke, e cila po shoqërohet me një kthim të madh të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vendin fqinj.
n.e/NOA