English

Kryengritësit: Gheddafi fshihet në jug të Libisë

Misurata, 7 shtator 2011, NOA – Koloneli libian Muammar Gheddafi fshihet në jug të Libisë dhe po dërgon jashtë vendit ar për të rekrutuar një ushtri me mercenarë në përpjekje për një kundërofensivë ndaj kryengritësve libianë që prej disa muajsh kërkojnë largimin e tij. Lajmin e bëri publik për agjencitë e huaja një burim i forcave ushtarake të kryengritësve libianë. Sipas tij, Gheddafi ndodhet ende në Libi dhe fshihet madje në jug të vendit, në shkretëtirën jugore të vendit, e vështirë për t’u arritur nga kryengritësit. Burimet thanë gjithashtu se kamionët që kishin kaluar kufirin libian ishin të mbushur me siguri, me ar dhe gurë të çmuar, me të cilët koloneli libian mendon të blejë e organizojë një ushtri mercenarësh të mbledhur nga republikat afrikane të Çadit dhe Malit. Ndërkohë kryengritësve libianë do t’u duhen ende edhe 48 orë për të hyrë triumfues në qytetin Bani Walid, ku fshihen përgjegjësit e regjimit që duket se nuk lëshojnë pe. Bani Walid është ndër të vetmit qytete ku ende zhvillohet lufta guerrile mes kryengritësve dhe besnikëve të Gheddafit. Komandanti i kryengritësve thotë se janë ende duke kryer bisedime lidhur me fatin e besnikëve të kolonelit libian të fshehur në Bani Walid, të cilët mbajnë përgjegjësi për gjakun e derdhur gjatë protestave kundër regjimit të Gheddafit. “Do të duhen edhe dy apo tri ditë para se të hyjmë në qytet, thotë komandanti i forcave kryengritëse, duke theksuar se kjo hyrje e butë po kryhet me qëllim që të mos shkaktohet një tjetër gjakderdhje në qytet. mit/NOA

KOMENTE