Shkup, 7 shtator 2011, NOA – Ndërkohë që në Shqipëri me afrimin e datës së nisjes së regjistrimit të popullsisë vijon debati me kundërshtimin nga Aleanca Kuq e Zi të pikave mbi përkatësinë etnike dhe fetare, në Maqedoninë fqinje arrihet marrëveshja për regjistrimin e popullsisë. Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë rënë dakord që të pranojnë propozimin e anëtarëve shqiptarë të Komisionit Shtetëror për Regjistrimin (KSHR). Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të mbahet nga 1 deri më 15 tetor. Në propozimin e anëtarëve shqiptarë të Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR), parashikohet që regjistruesit në rajonet e banuara me shqiptarë të jenë kryesisht shqiptarë dhe të pasqyrojnë numrin e etniteteve që jetojnë në ato rajone. Ky problem deri tani kishte bllokuar procesin e parapërgatitjeve përfundimtare për regjistrimin, pasi anëtarët maqedonas dhe kryetarja Vesna Janevska kërkonte që në zonat shqiptare ta kryenin regjistrimin ekipe të përziera të etniteteve. “Është arritur marrëveshja që të respektohet struktura etnike e rajoneve të regjistrimit dhe në bazë të saj do të formohen edhe ekipet e regjistruesve”, deklaroi zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, duke theksuar se këtë e parasheh edhe ligji për regjistrimin. KSHR pritet që sot të shpallë konkursin për regjistruesit, në të cilin është parashikuar respektimi i përfaqësimit të të gjitha komuniteteve. KSHR ka theksuar se do të vlerësohen si të vlefshme të gjitha aplikimet e dorëzuara nga kandidatët e interesuar për regjistrues në afatin e parë të regjistrimit që ishte parashikuar të niste në muajin prill të këtij viti, por që u anulua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme të qershorit. Pavarësisht këtij vendimi, PDSH si partia më e madhe opozitare shqiptare ka kërkuar shtyrjen e regjistrimit për muajin korrik të vitit të ardhshëm, me qëllim të mos anashkalimit të diasporës shqiptare, e cila numëron mbi 200 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit. INA/NOA