English

Mitrovicë, edhe një shqiptar i dyshuar për vrasjen e policit Enver Zymberi

Prishtinë, 7 shtator 2011, NOA - Një shqiptar nga jugu i Mitrovicës është mes tetë personave të identifikuar deri më tani si të përfshirë në vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi, gjatë aksionit të marrjes nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Lajmin për përfshirjen e emrit të shqiptarit në listën e tetë personave e ka konfirmuar për gazetën kosovare “Zëri”, njëri nga dy kryesuesit e hetimeve të ngjarjeve të fundit në veri, kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shyqri Syla. Syla ka njoftuar se shqiptari i përfshirë në “listën e zezë”, dyshohet se u ka dhënë ndihmë autorëve të vrasjes. Sipas lajmit bëhet me dije se i njëjti person kishte tentuar të shkatërronte provat materiale, të cilat ishin përdorur gjatë vrasjes së policit Enver Zymberi. “Përveç gjashtë të dyshuarve për vrasje, të cilët janë banorë të Zubin-Potokut e rrethinës së këtij qyteti, prokuroria ka në listë si të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri serb dhe njëri shqiptar, të cilët dyshohen për veprën penale të dhënies së ndihmës kreyerësve të veprës penale”, njoftoi mbrëmjen e të martës kryeprokurori Syla, citon gazeta Koha Ditore. Shqiptari, drejton një sallon për shitjen e pjesëve të automjeteve në jug të Mitrovicës dhe serbi nga veriu i Kosovës, sipas Sylës, janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve. KD/mit/NOA

Në foto: Polici i vrarë i Njësisë speciale, Enver Zymberi

KOMENTE