Tiranë, 7 shtator 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, për sa i përket vendit tonë dita e nesërme do të dominohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike. Moti i kthjellët do të jetë dominues pothuajse në të gjithë vendin, përjashtuar ekstremin verior dhe juglindjen ku gjatë orëve të mesditës parashikohen kalime vranësirash të lehta. E njëjta situatë meteorologjike do të mbetet edhe gjatë pasdites ku kthjellimet do të dominojnë në zonën e ulët dhe vijën bregdetare, ndërsa në zonat malore do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Edhe gjatë natës i gjithë territori shqiptar do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët. Temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime ato pothuajse do të qëndrojnë konstante në të dy vlerat. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 28 km/h dhe drejtim Perëndimor, ndërsa dallgëzimi në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të jetë 2 ballë.
Europa Nesër, Europa veriperëndimore dhe një pjesë e Europës Qendrore do të mbeten në kushtet e motit të paqëndrueshëm pasi vranësirat dhe shira me intensitet të lartë do të dominojnë në këto rajone. Shira të dendur do të bien në vendet Nordike, Ishujt Britanike dhe Balltike të cilat do të sjellin rënie të ndjeshme të temperaturave. Në kushte të vranësirave dhe shirave do të jetë edhe Pellgu i Mesdheut por me intensitet të dobët, ndërsa Europa Jugperëndimore, juglindore si edhe një pjesë e Europës Lindore do te karakterizohen nga moti i kthjellët.
Ngjarje ekstreme në Europë: - Ishujt Britanike do të mbeten me shira të konsiderueshëm - Balltiku rrezikon shira intensive, temperatura të ulëta - Skandinavia alarmon për stuhi të forta ere a.y/NOA