Prishtinë, 7 shtator 2011, NOA - Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler, do të transferojë këtë të mërkurë komandën mbi Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe nga koloneli Eduardo Ruso te koloneli Mauro Isidori. Lajmin e bëri të ditur Zyra për informimin e misionit të NATO-s në Kosovë. “Gjatë periudhës së komandës së gjeneralit Erhard Byhler, nga shtatori 2010 e deri më sot, nën komandën e kolonelit Eduardo Russo, regjimenti i MSU-së (Njësia e Specializuar Shumëkombëshe) ka kryer aktivitete të shumta me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë në zonë dhe lirisë së lëvizjes, për të mbështetur institucionet vendore, për të ruajtur dhe vendosur stabilitet dhe për të modernizuar strukturat, si spitalet dhe shkollat”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, citon radio Evropa e Lirë. Ceremonia e ndërrimit të komandës pritet të mbahet në kampin e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe në Prishtinë. REL/NOA