English

Shqipëria në “flakë”, FA ndihmë për shuarjen e zjarreve jug-veri

Tiranë, 7 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Zjarret që kanë shoqëruar së fundmi vendin tonë krahas ndihmës së forcave zjarrfikëse janë vënë nën kontroll edhe falë ndërhyrjes së Forcave të Armatosura. Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se kanë qenë 2114 efektivë të Forcave të Armatosura që janë vënë në ndihmë për shuarjen e zjarreve. Sipas të dhënave zyrtare mbi 1400 hektarë pyje janë djegur në të gjithë vendin që nga muaji qershor e deri në muajin gusht të këtij viti, ndërsa numërohen rreth 160 vatra zjarri. Këto të dhëna vijnë nga specialistë të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mjedisit, të cilët prej disa kohësh kanë angazhuar grupet e tyre të punës për shuarjen e zjarreve. Ndërkaq theksohet se në sajë të vështirësive të krijuara si rrjedhojë e tij, është bërë e domosdoshme prana e Forcave të Armatosura, kjo pas ndihmës së kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, ku është kërkuar ndihma e Ushtrisë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Qendra e Bashkuar Operacionale, gjatë periudhës qershor- gusht për shuarjen e zjarreve, janë angazhuar 2114 efektivë të Forcave të Armatosura, në të gjithë vendin ku ka pasur raste zjarresh. Mësohet se në këtë proces janë angazhuar 113 mjete transporti, 24 mjete zjarrfikëse si dhe 4 auto-ambulanca. Po kështu në ndihmë të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, është vënë në dispozicion një helikopter tip BO-105 nga Forcat Ajrore, i cili po bën monitorimin e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes theksohet se Forcat e Armatosura do të vijojnëtë ngelen në mbështetje, vecfcohet fakti se për shuarjen e zjarreve Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme të ndihmojnë në çdo rast. Ndërkaq, marrëveshje bashkëpunimi ka patur dhe ka dhe me vendet fqinje si Italia dhe Greqia që mbulojnë raste për ndërhyrje nga ajri. Po ashtu, specialistët italianë kanë përgatitur një hartë dixhitale satelitore për mbrojtjen nga zjarri të gjithë territorit të Shqipërisë, e cila në çdo çast shënon në kohë reale gjendjen e temperaturave, zjarreve dhe zonave me rrezikshmëri të lartë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se nga të dhënat e specialistëve deklarohet se më së shumti shkak për zjarret e deritanishme është pakujdesia njerëzore. Sipas MM-së, mbetet ende problematike zjarrëvënia nga barinjtë e zonave të cilët u vënë zjarrin pyjeve dhe shkurreve për hapjen e kullotave të reja. Të dhënat tregojnë se rreth 29 % e zjarreve në pyje e kullota vijnë nga pakujdesia dhe neglizhenca, 61 % nga arsye të panjohura, 9 % të qëllimshëm, dhe vetëm 1 % nga ngjarje të pazakonta. Aktualisht, zjarret kanë përfshirë rrethe të ndryshme me shtrirje pothuajse në të gjithë vendin, ndërsa vazhdojnë të digjen ende pyje në Shkodër, Tropojë, Pukë, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, etj. Rastet e ndërhyrjes në rrethe të FA: Komanda e Mbështetjes Rajonale Elbasan, me forcat dhe mjetet e saj, përkatësisht 2 mjete dhe një personel prej 20 vetash, ka qëndruar me orë të tëra për shuarjen e zjarrit të rënë në Kodër-Krastë. Komanda e Mbështetjes Rajonale Gjirokastër, me forcat e mjetet e saj, 1 mjet zjarrfikës, 1 mjet transporti dhe një personel prej 25 vetash, ka dhënë ndihmë konkrete në shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Muzinë, zjarr që kërcënonte Parkun e Syrit të Kaltër; ashtu sikurse dhe me 1 mjet zjarrfikës dhe një efektiv prej 12 vetash, ka ndihmuar në shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Peshkpi, Dropulli i Poshtëm. Për ti ardhur në ndihmë grupeve të punës të ngritura për shuarjen e zjarreve, Komanda e Mbështetjes Rajonale Vlorë, ka angazhuar mbi 110 trupa ushtarake me 5 mjete transporti, ndërkohë që Brigada e Këmbësorisë Malore Vau i Dejës, Shkodër, ka angazhuar mbi 180 forca ushtarake me 16 mjete transporti. Gjatë gjithë veprimtarisë së saj në ndihmë të komunitetit civil dhe në dispozicion të pushtetit vendor, efektivat e BrMR, kanë treguar profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre në përmirësimin e normalizimin e situatës emergjente të krijuar. Mjetet zjarrfikëse dhe personeli ushtarak e civil i BrMR, dhe i reparteve vartëse të saj, vazhdojnë të ndodhen në gatishmëri të plotë. Po kështu, një ndihmë të jashtëzakonshme në ndihmë të komunitetit gjatë kësaj periudhe kanë dhënë Forcat Ajrore, Policia Ushtarake dhe Spitali Ushtarak të cilët kanë qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë që mund të krijohej në rastet kur zjarret do të mund të kërcënonin seriozisht jetën e çdo qytetari. Forcat kryesore që janë angazhuar: Forcat Tokësore me Batalionet në varësi, Brigada e Mbrojtjes Rajonale, Brigada e Këmbësorisë Malore në Rrethe. Forcat Mbështetëse: Forcat Tokësore, Brigada Logjistike, Forcat Ajrore, Policia Ushtarake, Agjencia e Sistemit të Ndërlidhjes (ASNI) dhe Spitali Ushtarak Qendror Universitar. a.y/NOA

Në foto: Pamje nga shuarja e zjarreve nga Forcat e Armatosura

KOMENTE