English

The Hindu, flet për romanin e Ismail Kadaresë

Nga Xhevat Ukshini Gazeta e madhe e Indisë në gjuhën angleze “The Hindu” në njërin prej numrave të gushtit ka botuar shkrimin me titullin “Identiteti dhe territoret gjuhësore” të profesorit të letërsisë angleze Alok Bhalla, i cili merret me studimin e asaj letërsie që për objekt të saj ka ndarjen. Autor i shumë librave, ndër ta edhe i atij me titull “Dialogjet e ndarjes” (Partition Dialogue) si dhe editor i librit në pesë vëllime “Rrëfime mbi ndarjen e Indisë” (Stories About the Partition Of India ) që para pak kohësh doli në tregun indian të librit , Alok Bhalla në shkrimin e tij merret përveç me shkrimtarin indian S. H. Manto dhe veprën e tij „ Kabri qau kur shihte…“ edhe me romanin e Ismail Kadaresë „Tri këngë zie për Kosovën“, i cili, siç mësojmë nga prezantimi që i bën „The Hindu“ autorit të saj Bhalla, bashkë me shkrimtarin S. H. Manto dhe A. Bhalla-në përbën treshen që më së shumti e kanë ndikuar imagjinatën letrare të subkontinentit indian. Në këtë shkrim Bhalla merret me nacionalizmin provincial dhe gjuhët. Letërsia e ndarjes (partition literature), siç e quan ai atë letërsi, e cila në vend të ndërtimit të një perspektive afirmuese për të ardhmen e popujve zgjedh pikërisht të kundërtën e saj, përmes kësaj letërsie jepet panorama e jetës që dominohet nga nacionalizimi provincial (parochial nationalism), I cili gjithçka e vë në shërbim të shtypjes dhe poshtërimit të tjetrit. Duke folur për gjuhët Bhalla shprehet se ekziston një marrëdhënie e ngushtë mes atyre që i organizojnë gjuhët në një strukturë hierarkike, në njërën anë, gjuhët që supozohen të jenë origjinale, të shenjta dhe klasike dhe, në anën tjetër, gjuhët e gabuara (languages which are ‘mistakes'), sepse edhe perënditë mund të gabojnë- dhe miteve të shenjtërisë dhe të pastërtisë mbi të cilat ndërtohen politikat e ndarjes. Alok Bhalla shkruan se të persiasësh për gjuhën dhe identitetin në një fushë mbi të cilën pushteti e ushtron ndikimin e tij të drejpërdrejtë nga aspekti etik nuk është e lehtë, nga se shumë shpejt në një medium të tillë të tjerët degradohen në armiq dhe të huaj. Kjo është e rrezikshme sipas studiuesit indian edhe sepse politika kthehet në delir, në të cilin i huaji është gjithmonë vetëm përbindëshi. Derisa gjuha e privilegjit disave u vë në dispozicion mjete për të poshtëruar të tjerët , ideja e identitetit të jashtëzakonshëm, në anon tjetër, u jep të drejtë mitbërësve etnik dhe fetarë për të poshtëruar ata që janë të ndryshëm. Dhe, siç dihet, vazhdon Bhalla, poshtërimi dhe përulja kurrë nuk janë të mjaftueshme. Të dyja palët i mohojnë njeriut aftësinë për të kultivuar një gjuhë dhe për të bërë një jetë normale. Çdo gjuhë dhe çdo jetë, ndërkaq, i jep secilit në mënyrë të barabartë privilegje dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi të mëdha në kuptimin që nga secili prej nesh kërkohet mirësjellje dhe respekt. Por dy veprat letrare që merr në shqyrtim në shkrimin e tij Bhalla dëshmojnë, ndërkaq , se më shpesh ndodh e kundërta. Mendjet e ngushta nacionaliste të huajin dhe gjuhën e tij në përfytyrimin e tyre e përafrojnë me zhurmat e kafshëve, zogjve dhe drunjëve. I huaji futet kështu në të njëjtën hapësirë jetësore me qeniet që janë së paku biologjikisht një rend më poshtë. Në këto rrethana, vazhdon Alok Bhalla, shfaqen fjalë dhe koncepte si “hapësirë sundimi” që janë një jehonë e frikshme e fjalëve të definuara në mënyrë fanatike si “terror”, “shkatërrim”, “lot”. Në këtë mënyrë njeriu krijon një relacion afërsie gjinore me kafshët dhe largohet nga idealet tona të arsyes, kështu kthehemi në arkitekt të urrejtjes dhe të shkatërrimit dhe jo të një shoqërie humane që bazohet mbi respektin reciprok që njeh pluralitetin gjuhësor e ideologjik. Dy histori tmerri të shekullit XX Alok Bhalla në vazhdim të analizës së tij merret me dy histori fragmentare mbi ide asgjësuese mbi gjuhën dhe identitetin. Në këto dy histori bëhet fjalë për dy pozicione moderne- njëri nga India e mesit të shekullit të kaluar dhe tjetri nga Ballkani i fundit i të njëjtit shekulli, pra për dy histori tmerri që, siç konkludon me të drejtë autori Indian, fshijnë linjën ndarëse mes vetënderimit dhe cinizmit, bindjeve fetare fanatike dhe mizorisë. Historinë e parë Bhalla e lidh me shkrimtarin S.H. Manto, i cili jetoi kryesisht në gjysmën e parë të shekullit XX , tematika kryesore e të cilit ishte ndarja e Indisë që ndodhi në procesin e pavarësimit të Pakistanit. Bhalla merret me kollazhit e Mantos me titull “Kabiri qante kur shihte …“ ("Dekh Kabira Roya). Këtu poeti i shenjtë Kabir shikon me pikëllim rrënojat e gjuhës, të fesë dhe të shoqërisë, rrënoja këto që kishte lënë pas ndarja e vitit 1947. Derisa shëtit rrëgëve të Lahores, Manto qanë kur sheh vandalizmin e gjuhës dhe korrupsionin e religjionit. Poemat e Kabirit janë në gjuhën sankskrite dhe vendasit i këndojnë së bashku. Ato janë fjalë nga katunde e qytete, ritme të gjuhës së përditshme, të cilat bardët i kthejnë në këngë, të cilat janë dialogje ekstatike me njerëzit e tjerë dhe me perënditë. Në tekstet e Mantos njerëzit, të cilët takojnë në Lahore poetin Kabir, fshehin dallimin mes fjalëve dhe thikave, i ngatërrojnë parullat me idetë. Një ditë Kabir sheh një tregtar ambulant se si shqyen faqet nga libri i Surdas dhe nga to bën qese letre. Lotët i mbushin sytë e tij, shkruan S.H. Manto. Kur e pyet shitësi se përse qan poeti I shenjtë, ai thotë: “Në këto faqe janë shtypur poemat e Bhagat Surdas… Mos e fyej atë duke bërë nga këto faqe qese letrash.“ Por shitësi qesh dhe thotë:“ Një njeri me emrin Soordas kurrë nuk mund të jetë një shenjëtor (bhagat).“ Tallja e shitësit është një lojë fjalësh e keqe me fjalën “sur/Soor” që në gjuhën sanskritishte fjala „sur“ do të thotë melodi, harmoni dhe “engjëll” e “Zot”, kurse njëjta fjalë e shqiptuar në mënyrë jo të qartë si „Soor“ në Panxhabi do të thotë „derr“ dhe e ka kuptim “skllav” apo „dishepull“. Fyti e shitësit kthehet në një pjesë virulente të politikës së ndarjes . Bhalla vjen në përfundimi që Identiteti fetar që arsyeton vetveten në gjithçka që bën dhe përbuzja gjuhësore e degradojnë botën tonë të përbashkët dhe e hapin rrugën që çon në asgjësim, duke e bërë kështu mëshirën krejtësisht të pamundshme e tmerrin e shkatërrimit alternativën e vetme. Historia e dytë me të cilën merret profesori indian është Lufta e Kosovës që ndodhi njëherë në mesjetë dhe një herë tjetër në vitin 1999. Romani i Kadaresë „Tri këngë zie për Kosovën“ është botuar një vit para kësaj katrahure duke u kthyer në një parlajmërues të krimeve monstruoze serbe të fundshekullit të kaluar. Kosova, shkruan Bhalla, është një vend ku tmerret dhe identiteti janë pjesë të pandashme të kujtesës dhe e këngëve, të cilat i këndojnë rapsodët tradicionalë serbë dhe shqiptarë, „të vjetra dhe të ftohta si guri“. Madje edhe sikur të kishte paqe mes serbëve dhe shqiptarëve në jetën reale të tyre, apo nëse të dy popujt do të sulmoheshin nga turqit, janë këta rapsodë që helmojnë gjithçka, sepse këta rapsodë për ironi nuk munden pa kënduar: „ Qohu, o serb, se shqiptari e mori Kosovën! Një mjegull e zezë ka rënë- shqiptarë, rrokni armët, Kosova po bie në duart e serbëve të rrezikshëm”. Alok Bhalla në vazhdim të shkrimit të tij merret me figurën e turkut që konvertohet në të krishter dhe që përfundon në turrën e druve, ngase nuk kuptohet drejtë. Gjatë kohës së luftës një musliman bie në duart e të krishterëve. Ai vazhdon të falet edhe më tej si musliman, mirëpo ai është kurreshtar të njoh edhe krishterimin dhe judaizmin. Ai mëson të bëjë kryq dhe përpiqet të kuptoj hebrenjtë. Sipas Bhalla-s nuk aspak është befasuese që ai dënohet si heretik nga të tri fetë, sepse është një shpikje e djallit me këtë prirje të tij për të gjetur pikëtakime në këto tri fe monoteiste. Kur digjet në turrin e druve ai bërtet në gjuhën e tij „të huaj“. Publiku është i bindur se ai i lutet “Allahut” për mëshirë. Inkuizitori është i sigurt se ai duke qenë në lidhje me djallin këndon „abrakadabra“ si një magjistar. Një boshnjak mendon se turku bërtet fjalën „ablla“, e cila në turqisht do të thotë “nënë”. Por ajo që thotë turku në fakt është femohues i dëshpëruar, një mallkim i tmershëm, ishte fjala e parë latine që mësoi me të hyrë në Ballkanin e krishterë. „NON“-“Jo, asgjë përtej zjarrit dhe trupit që digjet, vizione të zbrazta morale dhe shpirtërore.“ Në roman dallohet refuzimi i vetëdijshëm i njerëzve që gjuhët dhe religjionet tjera nuk janë gjë tjetër se sa pasqyrim i të njëjtës gjuhë, religjion dhe vetvetes që tjetrit i japin shkas të bërtas pamëshirshëm. Kjo bërtimë e shqiptuar nga një njeri i pafuqishëm, i cili nuk kërkonte asgjëtjetër veçse një besim pohues me të tjerët në rajonin e njohur „fusha e mëllenjave“ (Kosova), kjo bërtimë mund të dëgjohet ende edhe në kohën tonë, përfudon Bhalla. Dhe e sotmja , për të cilin flet Bhalla është tmerri i spastrimeve etnike dhe vrasjet masive që ndodhen në Kosovë sidomos në vitin 1999. Vazhdimi i këtij tmerri sot ka trajtën e turrave të druve që vihen në rrugët që do të duhej të lidhnin serbët dhe shqiptarët, të cilët kanë identitete dhe gjuhë të ndryshme, por kjo nuk do të duhej të pengonte komunikimin normal mes tyre, e sotmja ka edhe trajtën e djegies së objekteve të doganave të Kosovës që janë shenja të një identiteti dhe kufij të një gjuhe, e cila për Beogradin vazhdon ende të trajtohet si një gjuhë e gabuar, gjuhë e djallit. Bhalla e përfundon shkrimin e tij në „The Hindu“ me këto fjali që konstatojnë : “Ne lejojmë që gjuhët të kthehen në mallkim dhe identitetet religjioze dhe etnike të zhyten në halucinacione të rrezikshme. Por ne do të duhej të përpiqemi të gjejmë disi një të ardhme afirmative për jetën, një bashkësi që ndërtohet me gjuhë dhe identitete të ndryshme.

KOMENTE