Tiranë, 7 shtator 2011, NOA- Në mbledhjen e sotme të qeverisë, një vendim i një rëndësie të veçantë vjen për tregtarët dhe shoqëritë tregtare në vendin tonë. Nëpërmjet këtij vendimi përcaktohen disa kritere se kur një shoqëri aksionare me oferta private mund ta gëzojë këtë status. Në këtë vendim theksohet gjithashtu se kur Shoqëritë Aksionare ç’regjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
P R O J E K T L I GJ PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9901, DATË 14.4.2008, “PËR TREGTARËT DHE SHOQËRITË TREGTARE” V E N D O S I: Në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, bëhet ky ndryshim:
Neni 1 Pika1, e nenit 107, ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Shoqëria aksionare me ofertë private nuk mund të ketë një kapital më të vogël se 3 500 000 lekë.”.
Neni 2 1. Shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, që janë themeluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruara të përfundojnë procedurat për regjistrimin e rritjes së kapitalit, të paktën deri në shumën e përcaktuar sipas nenit 1, të këtij ligji, brenda 1(një) viti pas hyrjes në fuqi të tij. 2. Shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, të cilat nuk përmbushin detyrimin për të rritur kapitalin sipas pikës 1, të këtij neni, vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pas përfundimit të procedurës së zbatueshme të likuidimit. a.y/NOA