Tiranë, 7 Shtator 2011 NOA - Arkimed Lushaj i njohur ndryshe si “Stresi” tashmë është liruar nga urdhri i arrestit të lëshuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, pasi Gjykata e Lartë pas ankesës së avokatit mbrojtës vendosi të shfuqizojë këtë urdhër-arresti duke e cilësuar të paligjshëm. Arsyetimi i ndryshimit të masës së sigurisë nga “arresti me burg” në atë të “detyrimit për paraqitje” sipas vendimit të Gjykatës është fakti se “Stresi” nuk është njoftuar nga Prokuroria për Krime të Rënda se ndaj tij ka një hetim dhe po caktohet masa e sigurisë “arrest me burg”. Çka sipas këtij vendimi, prokurori duhet të njoftoi personin nën hetim nëse ndaj tij merret masa e sigurisë në mungesë. Ky vendim, që Agjencia e Lajmeve NOA e boton të plotë krijon një precedent të rrezikshëm, sipas prokurorisë, pasi çdo person nuk mund të njoftohet që është nën hetim apo ndaj tij po caktohet një masë arresti. VENDIMI I PLOTË
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTE
KOLEGJI PENAL
Nr. 61004-00858-00-2011 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2011- i vendimit (98)
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
KRYESUES: GANI DIZDARI
ANЁTAR : BESNIK IMERAJ
ANЁTAR : FATOS LULO
ANЁTAR : ARJANA FULLANI
ANЁTAR : ALEKSANDËR MUSKAJ
Asistuar nga sekretare Anisa Take, sot më datën 13.07.2011 mori në shqyrtim, në seancë gjyqësore, çështjen penale me palë:
KËRKUES : Prokuroria për Krime të Rënda pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e përfaqësuar në gjyq nga prokurori pranë Gjykatës së Lartë Kujtim Luli.
KUNDËR
PERSONIT NËN HETIM: Arkimed Lushaj, i mbrojtur në gjyq nga av. Jalldyz Kastrati
ME OBJEKT: Vleftësim i ndalimit dhe caktim i masës së sigurimit.
ME BAZË LIGJORE: Nenet 244 të Kodit të Procedurës Penale.
AKUZUAR: Për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, parashikuar në nenin 109/b/1 e 25 të Kodit Penal.
--------------------------
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin penal Nr.60, datë 06.05.2011, ka vendosur: “Caktimin e masës shtrënguese të “detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Arkimed Lushaj, i biri i Saliut dhe i Shpresës, i datëlindjes 15.06.1986, lindur në Tropojë dhe banues në “Rrugën e Dibrës”, pallati i kompleksit “Halili” përballë Vilës “Gold”, Tiranë, me arsim të mesëm,i padënuar më parë.
Urdhërohet shtetasi Arkimed Lusha,j që të paraqitet çdo ditë të hënë ora 10.00 në policinë gjyqësore pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë...”.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin Nr.14, datë 26.05.2011, ka vendosur:“Ndryshimin e vendimit Nr. 60, datë 06.05.2011, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ”Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, Arkimed Sali Lushaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale”shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, sipas nenit 109/b dhe 25 të Kodit Penal.
Urdhërohet Policia Gjyqësore që të kap të dyshuarin Arkimed Sali Lushaj dhe ta çojë atë menjëherë në një institucion paraburgimi”.
Kundër vendimit të Gjykatës se Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me anën e përfaqësuesit ligjor av. Jalldyz Kastrati,ka paraqitur rekurs personi nën hetim, Arkimed Sali Lushaj, me anën e të cilit ka kërkuar, shfuqizimin e vendimit penal Nr.14 datë 26.05.2011, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, si i pambështetur në ligj dhe në prova, duke parashtruar edhe shkaqet përkatëse:
Vendimi i Gjykatës se Apelit për Krimet e Rënda është marrë në shkelje të ligjit Rezervojmë të drejtën të pohojmë se jemi përpara një pavlefshmërie absolute.
Gjykata e Apelit nuk ka pasur në konsiderate personalitetin e të dyshuarit i cili rezulton i padënuar më parë dhe është në vazhdim të studimeve të shkollës së lartë.
KOLEGJI PENAL i GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj, dëgjoi prokurorin pranë Gjykatës së Lartë Kujtim Luli i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit Nr.14, datë 26.05.2011, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, mbrojtësin e personit nën hetim Arkimed Lushaj, av. Jalldyz Kastrati e cila kërkoi, prishjen e vendimit Nr.14, datë 26.05.2011, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit Nr.60, datë 06.05.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe, si shqyrtoi në tërësi çështjen:
V Ё R E N
se vendimi Nr.14, datë 26.05.2011, i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, me të cilin është vendosur në lidhje me masën e sigurimit, për personin nën hetim Arkimed Lushaj, është rrjedhojë e shkeljeve të rënda procedurale.
A. Rrethanat e faktit.
Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, personi nën hetim Arkimed Lushaj, është akuzuar për veprën penale të parashikuar nga neni 109/b të Kodit Penal. Me datë 20.09.2011, Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, ka rregjistruar procedimin penal Nr.89, për veprën penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Leonard Bombaj, banues nëTiranë. Në datë 16.03.2011, organi i akuzës ka rregjistruar në rregjistrin e personave që i atribuohet vepra penale, emrin e shtetasit Arkimed Lushaj, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të sipërcituar. Kallëzuesi Leonard Bombaj, është banor i Tiranës dhe njëkohësisht drejtuesi i Qendrës Artistike të Fëmijëve të quajtur “Sirena Film”, me seli në Tiranë. “Sirena Film” ka aktivizuar si pjesëtare, për një periudhe 6 vjeçare, prej moshës 8 vjeçe, shtetasen Ajselda Xhaxhaj .
Me vendim të datës 30.08.2010, drejtuesit e qendrës artistike, kanë vendosur të përjashtojnë nga qendra shtetasen Ajselda Xhaxhaj.
Në datë 05.09.2010, shtetasja Ajselda Xhaxhaj, ka bërë kallëzim penal ndaj shtetasit Leonard Bombaj, duke e akuzuar për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë. Sipas kallëzueses fakti ka ndodhur për herë të parë në moshën 10 vjeçe dhe, më pas me të është abuzuar në mënyrë të vazhdueshme. Në datën 06.09.2010, shtetasi Leonard Bombaj, ka bërë kallëzim penal ndaj shtetasit Albert Xhaxhaj, babait të Ajseldës, duke pretenduar se ky shtetas e ka kanosur seriozisht për jetën. Ka rezultuar nga aktet në dosje se midis shtetasit Leonard Bombaj, me cilësinë e mësuesit dhe shtetases Ajselda Xhaxhaj me cilësinë e nxënëses, janë krijuar raporte të tilla, të cilat i kalojnë marrëdhëniet e drejta dhe pedagogjike mësues-nxënës. Rezulton gjithashtu se shtetasja Ajselda Xhaxhaj, duke përfituar nga marrëdhënia me personin nën hetim Arkimed Lushaj, i ka kërkuar këtij të fundit ndihmë, për situatën e krijuar midis saj dhe shtetasit Leonard Bombaj, si dhe të vendimit të largimit nga qendra e fëmijëve, duke i kërkuar të hakmerret ndaj shtetasit Leonard Bombaj. Pretendohet nga kallëzuesi, shtetasi Leonard Bombaj se, në datë 22.08.2010, në banesën e tij kanë hyrë disa persona, midis tyre edhe personi nën hetim Arkimed Lushaj. Sipas pretendimeve të kallëzuesit, njëri prej personave ishte i armatosur.
Sipas kallëzuesit, personat e mësipërm i kanë bërë presion, duke pretenduar se, që të mos merrej vesh se ai e kishte përdhunuar dhe kishte abuzuar seksualisht në mënyrë të vazhdueshme shtetasen Ajselda Xhaxhai dhe, kjo çështje do të mbyllej, duhej t’u paguante shumën 20.000 euro.
Është pretenduar nga kallëzuesi se, nën shtrëngimin e personit nën hetim, kallëzuesi ka tërhequr një sasi prej 500.000 mijë lekësh si dhe, ka nënshkruar një kontratë shitje të automjetit tip benz, me targa TR 9485 L, për shumën prej 5000 euro. Në këto rrethana fakti, Prokuroria e Krimeve të Rënda pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka kërkuar caktimin si masë sigurimi “Arrest në Burg”, për shtetasin nën hetim Arkimed Lushaj.
B. Procedurat gjyqësore.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda, Tiranë, me vendimin Nr.60 akti, datë 06.05.2011, ka vendosur: “Ti caktojë të dyshuarit Arkimed Lushaj, masën e sigurimit me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke e urdhëruar të paraqitet çdo ditë të hënë, në orën 10.00, në policinë gjyqësore, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda”. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, me vendimin Nr.14, datë 26.05.2011, ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit Nr. 60, datë 06.05.2011, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ”Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, Arkimed Sali Lushaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/b dhe 25 të Kodit Penal.”
C. Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, është shprehur vetëm në lidhje me ekzistencën e fajësisë apo jo, ndaj personit nën hetim Arkimed Lushaj, duke mospërfillur objektin e gjykimit, i cili ishte verifikimi i kushteve për caktimin e masës së sigurimit. Gjykata ka vendosur të ndryshojë llojin e masës së sigurimit, e bazuar kryesisht në dispozitën ligjore, e cila parashikon masën e dënimit. Gjykata ka arritur në vlerësimin e rrezikshmërisë shoqërore të të dyshuarit e bazuar në faktin që, subjekti akuzohet për një vepër të rëndë penale. Gjykata e apelit për krime të rënda, e ka konsideruar këtë subjekt fajtor, në cilësinë e organizatorit, dhe për këtë shkak ka çmuar se ai duhet të hetohet në gjendje arresti. Gjykata e apelit për krime të rënda, nuk ka argumentuar asnjëherë në lidhje me mosrespektimin e kërkesave procedurale se, përse vendimi i gjykatës së shkallës së parë për caktimin e masës së sigurimit, nuk i është komunikuar personit nën hetim.
D. Në lidhje me ankimin (rekursin).
Shkaqet e parashtruara në rekurs, pasi u analizuan nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, kanë rezultuar të bazuara në ligj (Neni 432 i Kodit të Procedurës Penale) dhe si të tilla, do të pranohen. Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, është rrjedhojë e zbatimit të keq të ligjit procedural, në lidhje me respektimin e kërkesave procedurale që kanë të bëjnë me kriteret për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor. Gjykata në caktimin e masës së sigurimit duhet të udhëhiqej dhe të bazohej, jo vetëm në vlerësimin e ekzistencës apo jo, të kushteve të parashikuara nga nenet 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, por duhej të mbante parasysh dispozita procedurale, që lidhen me kërkesat për realizimin e të drejtave të të pandehurve, apo të subjekteve që i nënshtrohen gjykimit në lidhje me masat e sigurimit.
Caktimi dhe vendosja e masës së sigurimit personal duhet t’i nënshtrohen jo vetëm kritereve materiale si, përshtatshmëria e masës etj., të parashikuar në nenet 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, por edhe parimeve e kërkesave procedurale, në lidhje me një gjykim të drejtë, midis të tjerave dhe të kërkesave të parashikuara në nenin 246 të Kodit të Procedurës Penale.
Fakti që i pandehuri është në mungesë, apo që, akuzohet për një vepër të rëndë penale, nuk e privon dhe nuk mund ta privojë subjektin e pandehur nga përmbushja e detyrimeve procedurale në lidhje me të drejtat e tij. Në gjykimin dhe vendimmarrjen e saj, gjykata e apelit për krime të rënda duhet të bazohej në kërkesat e gjykimit të veçantë të masave të sigurimit, të rregulluara nën kuadrin e përgjithshëm të gjykimit penal. Kjo do të thotë, që edhe në këto gjykime, parësore për një gjykim të drejtë janë respektimi i parimeve procedurale dhe detyrimeve që burojnë nga ligji procedural. Mosrespektimi i tyre herë cenon të drejtën dhe herë të tjera e bën atë të pavlefshme. Gjykata e Lartë me Vendimin Unifikues Nr.4, datë 24.06.2009, ka orientuar njoftimin e vendimeve për vendosjen e masave të sigurimit subjekteve të përfshira në këto gjykime, për të ruajtur respektimin e parimeve të procesit të rregullt ligjor, midis të cilave e drejta e ankimit efektiv:
“Dispozita e nenit 249 të Kodit të Procedurës Penale, kur bën fjalë për të drejtën e ankimit brenda 10 ditëve nga zbatimi ose njoftimi i vendimit të gjykatës, merr kuptim të plotë, jo vetëm për zbatimin por edhe për njoftimin e vendimit” (Vendim Unifikues Nr.4, datë 24.06.2009 i Gjykatës së Lartë).
Rezulton nga aktet e gjykimit që, personi nën hetim Arkimed Lushaj, nuk ka ardhur në dijeni të vendimit të ankimuar që caktonte masën e sigurimit ndaj tij. Në të tilla rrethana, vendimi për caktimin e masës së sigurimit ndaj personit nën hetim Arkimed Lushaj, nuk mund të merrej në shqyrtim nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, si një vendim që do të konsiderohej i paankimueshëm, për shkak të shkeljes së dispizitës së nenit 246 pika 3, të K.Pr.Penale (“Mospranimi i ankimit 1. Ankimi nuk pranohet:b- kur vendimi është i paankimueshëm...). Bazuar në sa më sipër, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në respektim të përcaktimit ligjor të bërë nga ligjvënësi në nenin 420 pika 1, shkronja “b”, të K.Pr.Penale, duhej të kishte vendosur mospranimin e ankimit. Rezulton nga aktet e gjykimit që, personi nën hetim Arkimed Lushaj, nuk ka ardhur në dijeni jo vetëm të vendimit të ankimuar që caktonte masën e sigurimit ndaj tij, por edhe të ankimit të prokurorit, ndaj këtij vendimi. Kjo rrethanë ka cenuar procesin ligjor të marrjes së masës së sigurimit, deri në pavlefshmëri të gjykimit në apel. Gjykata e apelit, në rrethanat e çështjes duhej të vendoste mospranimin e ankimit të prokurorit, sepse në kuptimin procedural ky ankim nuk i është njoftuar të pandehurit (“Mospranimi i ankimit 1. Ankimi nuk pranohet: c- kur nuk janë respektuar dispozitat për formën, paraqitjen, dërgimin, njoftimin dhe afatin e ankimit;”- neni 420, Pika 1, shkronja “c” e Kodit të Procedurës Penale). Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, është rrjedhojë jo vetëm e mospërmbushjes së detyrimeve që burojnë nga ligji procedural, por edhe i parimeve të materializuara në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe asaj të të Drejtave të Njeriut, të bazuara në nenin 6/3, shkronja “a” e Konventës Evropiane “Për mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtat Themelore të Njeriut”:
“3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;”
E. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
Duke pasur parasysh gjithë sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ka zbatuar gabim ligjin procedural penal. Gjykata duhej të vendoste mospranimin e ankimit, e bazuar në përcaktimet e dispozitës së nenit 420, pika 1, shkronjat “b” dhe “c”, të Kodit të Procedurës Penale. Në kundërshtim me sa më sipër, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, gabimisht ka shqyrtuar çështjen, në themel (të kërkimit për vendosjen e masës së sigurimit), ndërkohë që duhej të vendoste mospranimin e ankimit, situatë që do të rregullohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Në rrethanat e parashtruara, vendimi Nr.14, datë 26.05.2011, i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, do të prishet, dhe do të vendoset mospranimi i ankimit.
PЁR KЁTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet nenin 420, Pika 1, shkronjat “b” dhe “c” dhe 441/1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit Nr.14, datë 26.05.2011, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë dhe mospranimin e ankimit të bërë nga Prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, kundër vendimit Nr.60, datë 06.05.2011, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
Tiranë më 13.07.2011
A N Ё T A R A N Ё T A R K R Y E S U E S
Aleksandër MUSKAJ Besnik IMERAJ Gani DIZDARI
A N Ё T A R A N Ё T A R
Arjana FULLANI Fatos LULO