Prizren, 8 shtator 2011, NOA - Policia ka arrestuar në Prizren tre aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin mbledhur para Kuvendit Komunal, në shenjë proteste ndaj projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Sipas Vetëvendosjes, ky ligj e legjitimon pretendimin e Serbisë që të gjitha monumentet dhe kishat ortodokse në Kosovë janë 'serbe', duke mohuar kështu kulturën e përbashkët fetare dhe historike të Kosovës e cila është karakteristikë e qytetit të Prizrenit, si dhe është në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare për praktikimin e fesë, duke e definuar këtë të fundit në baza etnike. Radio Evropa e Lirë raporton se, midis aktivistëve të VetëVendosjes të cilët kundërshtojnë këtë projektligj ka pasur një konfrontim të lehtë pranë portës qendrore të Asamblesë Komunale në Prizren. Policia ka shoqëruar në rajon tre aktvistë me pretendimin e prishjes së rendit dhe qetësisë publike. Shoqëria civile dhe disa nga partitë politike opozitare kanë shprehur kundërshtinw e tyre ndaj projektligjit, duke pretenduar se “ai i jep një zë më të fuqishëm Kishës Ortodokse” në Kosovë. a.q/NOA