Nga Artan Lame Ju kujtohet Shmiti, ai gjermani që bëri atë librin për Skënderbenë? E pra e kemi sharë Shmitin e si lamë gjë pa thënë se na çmitizoi Heroin. Tani, me të njëjtin patos, duhet t’i përvishemi “Wikileaks”-it se na çmitizoi ushtrinë. Atë që na mbron Atdhenë dhe që na futi në NATO. Nga dokumentet e “Wiki”-t morëm vesh se Shefi i Shtabit të Ushtrisë (ai që ishte) i ankohej ambasadorit të Amerikës, se kishte frikë të denonconte Gërdecin në prokurori. Dhe, për të justifikuar frikën, i thoshte se e kishte marrë në telefon vetë i biri i Kryeministrit. Jo vetë Kryeministri, ose Sadami, apo Ahmadinexhadi, por çuni i Berishës. Dhe ne që flinim të qetë në shtëpi me mendjen se kemi goxha burrë me spaleta gjenerali që na mbron, madje kur u mbyllnim dritën fëmijëve në dhomën e gjumit, u thoshim: “fli bir, fli i qetë, se atdhenë na e ruan nga të liqtë xhaxhi oficeri”. Ky xhaxhi oficeri që tani na del se na paskësh pasur frikë edhe nga telefonata e një çunaku, qoftë ky edhe i biri i Kryeministrit. Sa turp! Vitin tjetër bëjmë 100 vjet që mbajmë e ushqejmë ushtrinë, që i mbajmë me rroga e ndere oficerët, kemi 20 vjet që bëjmë reforma për t’i dhënë formë e për ta modernizuar evropiançe, i çuam nëpër akademitë e botës oficerët e u japim spaleta, grada e dekorata, po u blejmë armë moderne, automatikë e topa, tani sa porositëm edhe helikopterë e luftanije të reja për ta; ndërsa ky birboja ka frikë edhe nga zilja e telefonit. “Uuu pikaaa, pikaaa” – ulërinte halla e Mato Grudës!
Nga dokumenti pasardhës, morëm vesh se Shefi i Shtabit të Ushtrisë (ky që kemi), i marrka 7000 dollarë çdo ushtari që do të shkojë në Afganistan a Irak. Në fakt, ky bakshishi për ushtarllëkun nuk është gjë e re. Ka ekzistuar që në kohë të Turqisë dhe jo vetëm këtu, por edhe nëpër ushtri të tjera. Kush nuk donte të bënte ushtarllëkun dhe ja mbante xhepi, fap, paguante një tjetër që ishte fukara dhe ky shkonte në vend të tij. Ky quhej sistemi i bedelëve dhe njihet që në Mesjetë. Pas reformave të Tanzimatit, kur bedel’llëku u ndalua, zengjinët prapë ia gjetën anën: u paguanin bakshish oficerëve të rekrutimit dhe këta shënonin nëpër regjistra se personi nuk mund të shkonte ushtar, sepse ishte djalë i vetëm, se ishte eksiq nga mëntë, se ishte hoxhë, se ishte topall, e lloj-lloj marifetesh kësodore. Tamam si sot. Me një ndryshim. Qëmoti paguheshin pará për të mos shkuar ushtar, ndërsa sot u dashkan paguar pará për të shkuar ushtar. Jo më kot themi se në Shqipëri ç’do gjë është së prapi botës. Sa turp! Si për t’i vënë kapakun, në dokumentin e tretë, Ambasadori raportonte për një tjetër ushtarak (me shqiponjë në kapele, ama), që e fitoi gradën e gjeneralit jo duke mbrojtur kufirin, por duke e shitur atë, ose të paktën atë copëzë që i ra në dorë prej detit të Atdheut. Në fakt, ky rast nuk më bën shumë përshtypje, sepse atdheshitja ka qenë, është e do të jetë zanati ku shqiptarët janë treguar më ustallarë se në çdo tjetër zanat të botës. Të paktën, për ata shqiptarë që e kanë pasur në dorë këtë mall. MUTACIONI Mjekësia thotë se skuqja nga ndjenja e turpit ndodh si pasojë e vërshimit të gjakut nëpër kapilarët e fytyrës dhe, duke qenë reagim instiktiv, është e pamundur të ndalohet. Mirëpo gjithnjë e më shpesh, po shohim të kemi përballë njerëz që as skuqen e as zverdhen dhe ndoshta është koha që ndonjë Universitet Perëndimor të vijë e të bëjë një studim për këtë fenomen të veçantë e çudimadh shqiptar. Ju kujtohet besoj dita kur në “Fiks Fare” u shfaq meseleja e mbërtheckave të atij që ne e paguanim për Ministër Kulture. E ndiqja në televizor i shtangur (siç besoj edhe shumica juaj o lexonjës) dhe në fund mendova me vete se ky mavria do të shiste për gjithë natën shtëpi e gjithë ç’kishte, do të merrte aeroplanin dhe do të ikte ku të mundte për të mos u shfaqur më këtu. E nesërmja gdhiu (ose e pasnesërmja, nuk më kujtohet mirë), po shkoja në një klub të Bllokut ku kisha lënë një takim me dikë, kur... ç’të shoh, në një tavolinë klubi shoh ish-ministrin (e kishin shkarkuar një orë pas emisionit) teksa rrufiste i qetë kafenë. Sefte shqeva sytë naaa, pastaj m’u kthye e gjithë bota përmbys. As që i bënte syri dritë. Prapë nga “Wikileaks”-i, morëm vesh se nëndrejtori i Policisë së Shtetit, spiunonte policët e vet, kur shkonin të bënin aksione ku ata do të rrezikonin edhe kokën. Madje u desh që të gjenin një ditë kur kryepolici a kryespiuni të ishte jashtë shtetit, për të arrestuar një bandit. Po mirë, po si ia bën ky tipi tani që të shkojë në zyrë pa iu skuqur faqja? Ngrihet në mëngjes, lahet, rruhet, zbret poshtë, hipën në makinë dhe shkon në zyrë. Atje i rri përpara gatitu polici i rojës, të cilit nga brenda i vjen për të vjellë nga shefi i vet. Pastaj hyn në zyrë dhe pret raporte e jep urdhra, ndërsa të gjithë vartësve, teksa u vjen neveri prej tij, ruhen se mos thonë ndonjë gjë që ky shefi i tyre mund t’i spiunojë te banditët. I fortë është, si nuk skuqet hiç. Nja 500 metra më tutje, ka zyrën Shefi i Shtabit të Ushtrisë që, në piramidën ushtarake, është maja e majës. Ushtar-kapter-toger-kapiten-major-kolonel-gjeneral dhe, në majë fare, është ai vetë. E pra ky tani doli se marrka pará nga fukarenjtë e fukarenjve, nga hallexhinjtë e hallexhinjve, që janë ata që për pará pranojnë të vënë kokën në rrezik anekënd botës. Tani këtë gjë, që deri dje e thoshin të gjithë nën zë, e tha publikisht ambasadori i Amerikës. Ndërsa ky vetë ç’bën. Asgjë, sërish çohet në mëngjes, vesh uniformën me yje në spaleta, vë kapelën me shqiponjë në ballë dhe shkon në zyrë. Atje i rrinë gatitu të gjithë, ndërsa nga brenda e shohin me neveri, dhe luten të mos kenë punë parash me këtë tipin. Pastaj kur shkon në ndonjë repart, i paraqesin edhe forcën dhe i ngrenë flamurin kuq e zi për ta nderuar, ndërsa në bark u rrotullohen zorrët se ia dinë hyneret. I fortë është edhe ky, se si ia bën të mos skuqet nga turpi. Për sa kohë hyneret e tyre i mbanin brenda vetes e nuk ua dinte kush, apo ua dinin ca të paktë, edhe mund të kuptohet se si ia bënin të mos skuqeshin, por tani që ua dinë të gjithë, vërtet se marr vesh si ia bëjnë të shohin në sy vartësit e tyre pa ju ndryshuar ngjyra e lëkurës. Bash për këta shembuj, e plot të tjerë si këta, them se është e domosdoshme që të vijnë nga bota ca shkencëtarë mjekërgjatë e me gjyzlykë mbi hundë, për të studiuar këtë mutacion gjenetiko-politik. Ndoshta për herë të parë në histori të njerëzimit, politika dhe karrigia, paraja dhe interesat, ia kanë dalë të ndryshojnë veprimet instiktive të trupit, ato të cilat nuk patën forcë t’i ndryshojnë as një milion vjet të evolucionit. Gazeta "Shqip"