Tiranë, 8 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Pas dhjetë vitesh mungesë dhe ndërtimesh pa plan kryeqyteti shqiptar do të ketë brenda dhjetë muajsh Planin e ri Urbanistik, i cili pritet t’i japë frymëmarrje kryeqytetit të zënë peng nga ndërtimet pa kriter. Këtë premtim e bëri sot kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së parë të grupit të punës për hartimin e Planit urban të kryeqytetit ku bëjnë pjesë për herë të parë edhe përfaqësues nga bota akademike, urbanistë të njohur, arkitektë. Kryebashkiaku Basha siguroi se Plani i ri urbanistik i Tiranës do të jetë gati gjatë majit të vitit 2012, pra pas plot dhjetë muajsh nga dita e sotme. Zoti Basha deklaroi se “Plani i ri urban i Tiranës është një domosdoshmëri për Tiranën”, e cila sikundër tha ai ka përjetuar një rritje demografike me efekte negative, pasi në 10 vitet e fundit ka munguar tërësisht një plan urban. Në këtë takim me botën akademike kushtuar një prej premtimeve kyç të programit elektoral me të cilin erdhi në krye të qeverisjes së Tiranës, kryebashkiaku Basha theksoi se “Na bashkon filozofia e konceptimit urbanistik si një filozofi e zhvillimit të qytetit në komfort, e mirëqënies së qytetarit në paqe, e qetësisë dhe gjelbërimit dhe e mirëfunksionimit të kryeqytetit”. Andaj në këtë suazë, kryebashkiaku i Tiranës apeloi se është tejet e domosdoshme të zgjidhet me bashkëpunim të gjerë konflikti artificial midis qytetit dhe qytetarëve, lufta midis qytetit të vjetër dhe ndërtimeve pa kriter, apo e qytetit pa semaforë, e deri tek lulishtet e shkulura. Basha tha se Plani i ri urbanistik i kryeqytetit synon të rikthejë balancën e drejtë mes zhvillimit dhe interesit publik, duke respektuar tërësisht pronat private dhe pronarët, por duke respektuar po kështu edhe pronën publike. Ashtu siç edhe gjatë betejës elektorale për Tiranën, kryebashkiaku Basha premtoi se ka vullnetin e nevojshëm për të dëgjuar zërin e qytetarëve. “Plani i ri urbanistik synon të krijojë një frymë bashkëpunimi dhe konsensusi me biznesin, qytetarët dhe komunat përreth. Ne do të promovojmë debat serioz mbi transportin, kemi dëgjuar shqetësimet në çdo rrugë, dhe synojmë ta shtrijmë këtë debat edhe më gjerë”, tha zoti Basha. Duke folur për zhvillimin e Tiranës, Basha tha se do të mbështesë shqetësimet e investitorëve dhe biznesit në kryeqytet, pasi siç tha ai, biznesi është motorri kryesor i zhvillimit ekonomik të Tiranës. Rishtas në fjalën e tij Basha tha se “Planin e ri urbanistik të Tiranës kemi vendosur ta hartojmë në bashkëpunim me qytetarët, me qëllim që transformimin urban ta nxjerrim nën diellin e transparencës”, duke theksuar se hartuesit janë të hapur ndaj sugjerimeve dhe kritikave. Sipas kryebashkiakut vetëm një proces transparent largon frymën klienteliste që i ka zënë frymën kryeqytetit. Kryebashkiaku Basha nënvizoi se hartimi i planit urbanistik do të kalojë nëpër tri faza, që do të ngërthejnë investimet e strategjike, dimensionin fizik rregullator dhe zhvillimin e ri urban të qytetit dhe lagjeve si dhe dimensionin infrastrukturor modern. Duke theksuar se gjatë procesit të ndërtimit të planit do të diskutohen një nga një të gjitha dimensionet me grupet e interesit, kryebashkiaku Basha tha se synon që këtë plan të ri urbanistik ta kthejë në një model suksesi e bashkëpunimi, ku mishërohen ndërtimi i infrastrukturës moderne, tramvajit të Tiranës, Unazës së Madhe e mjaft projekte të tjera që do të vihen në jetë posa plani i ri të jetë gati. Vijon... mit/NOA