Tiranë, 8 shtator 2011, NOA - Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim me Ministren e Bujqësisë së Izraelit znj. Orit Noked. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe qeverive, si dhe u konfirmua vullneti i të dy palëve për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të të dy popujve miq. Në këtë kontekst, fusha si ajo e bujqësisë dhe infrastrukturave moderne të lidhura me të si ajo e ujitjes, por edhe kërkimi shkencor dhe fusha e zhvillimit teknologjik, veçanërisht për sa i përket sektorit bujqësor, nxitja e investitorëve izraelit për të investuar në Shqipëri, fusha e arsimit, etj. u identifikuan si fusha me shumë interes për bashkëpunimin mes dy vendeve në të ardhmen. Sipas njoftimit të publikuar nga zyra e shtypit e kryeministrisë, znj Noked, i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin dhe konsideratat që ai gëzon në Izrael, si dhe u shpreh se Kryeministri Netanjah dhe qeveria e Izraelit presin me kënaqësi së shpejti një vizitë të Kryeministrit Berisha në këtë vend. a.q/NOA