English

Dy shtete tërheqin njohjet e Kosovës, MPJ mohon

Prishtinë, 8 shtator 2011, NOA – Ndërkohë që numri i vendeve që kanë njohur Kosovën e pavarur ka mbërritur në 81 vende, zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se gjoja dy shtete, që kanë njohur Kosovën më parë, i kanë tërhequr ato. Pretendimet e Serbisë flasin për tërheqjen e Omanit dhe Guinea Bisaut. “Omani asnjëherë nuk ka bërë njohjen, siç e ka sqaruar ministrja Vlora Çitaku në deklaratën e saj në shkurt. Ata na kanë dërguar një letër të ngrohtë, duke na dëshiruar inkuadrim në OKB. Ndërsa, Guinea Bissau ka dërguar një letër të qartë verbale të njohjes dhe ka zhvilluar që nga atëherë kontakte me Kosovën”, tha zëvendësministri Selimi. “Vuk Jeremiç po provon të heqë fokusin nga nevoja për largimin e strukturave paralele dhe respektimi i kufijve”, ka shkruar në Twitter zv.ministri Selimi, transmeton KTV. Ndërkohë gazeta “Blic” e Beogradit pretendon se Vuk Jeremiç ka arritur të ‘tërheqë’ dy njohje të Kosovës. Gazeta thotë se Jeremiçit i janë dhënë informacionet në Kongresin e të Painkuadruarve i mbajtur në këtë 50-vjetor në Serbi, se shteti aziatik Omani dhe ai afrikan Guinea Bisau kanë tërhequr njohjet. KD/NOA

KOMENTE