English

Gheddafi përgënjeshtron zërat për arratisjen: NATO do të mundet

Nikosia, 8 shtator 2011, NOA – Koloneli libian Muammar Gheddafi ka përgënjeshtruar në orët e para të mëngjesit të sotëm zërat për një arrati të tij nga Libia përdrejt Nigerisë. Gheddafi i ka cilësuar këto zëra si gënjeshtra dhe një luftë psikologjike që synon ta dobësojnë atë. Në një mesazh zanor të transmetuar nga televizioni Al Rai me qendër në Damask të Sirisë, kolonel Gheddafi tregoi forcën duke ripërsëritur se NATO do ta humbë këtë betejë kundër tij, pasi burimet e tij materiale nuk do ta lejojnë të vazhdojë ndërhyrjen ushtarake në Libi. “Ne jemi gati në Tripoli të shumëfishojmë sulmet kundër minjve siç i quan ai kryengritësit libianë dhe mercenarëve, që s’janë gjë tjetër veçse një bandë qensh”, deklaroi me zë Muammar Gheddafi. Ndërkohë më herët disa prej përgjegjësve të regjimit të Gheddafit të kapur pak ditë më parë treguan vendndodhjen e një varri masiv ku ishin groposur 1300 kufoma të të burgosurve politikë të vrarë me urdhër të kolonelit në vitin 1996 në burgun Abu Salim në kryeqytetin libian, Tripoli. Masakra është denoncuar nga organizatat e të Drejtave të Njeriut ‘Amnesty International’ dhe ‘Human Rights Watch’. Lajmin e bënë publik për mediat libiane burime nga kryengritësit. mit/NOA

KOMENTE