Berlin, 8 shtator 2011, NOA - Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka për ta harruar aq kollaj 7 Shtatorin. Jo vetëm debati i përgjithshëm në Bundestag, por edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e ndihmave miliardëshe për Greqinë dhe ombrellën e shpëtimit ishin dy gurë të rëndë për kancelaren. Kështu vendimi i Gjykatës Kushtetuese pro vendimit të qeverisë së Merkelit për të ndihmuar në shpëtimin e euros, ishte një lehtësim mjaft i mirëpritur. Gjykata Kushtetuese vendosi se pjesëmarrja e Gjermanisë në paketën e shpëtimit të euros së rrezikuar pajtohet me ligjin themeltar gjerman. Që në fillim të debatit në Bundestag, kryetari i fraksionit të SPD-s në opozitë, Frank Ëalter Steinmeier atakoi drejtpërdrejt qeverinë si "më e paafta që prej dhjetevjeçarësh". Njerëzit nuk i besojnë më kësaj qeverie se do të jetë e aftë të rezistojë deri në vitin 2013, tha Steinmeier. Kancelarja Merkel reagoi me një ton jo aq tipik për të duke akuzuar opozitën për fjalime "të pakontrolluara dhe të papërgjegjshme". Por aktualisht fjalimi i saj i drejtohej më shumë radhëve të veta, sesa opozitës. Disa deputetë të krahut qeveritar kanë sinjalizuar se nuk do të japin votën e tyre për paketën e re që duhet miratuar për shpëtimin e euros. Stabilizimin i euros Merkel e deklaroi qartë si prioritet qendror të legjislaturës së saj. "Detyra qendrore e kësaj legjislature është: Ashtu si Gjermania doli më e fortë nga kriza, ashtu duhet edhe Evropa të dalë më e fortë nga kriza se sa ishte para saj." a.q/NOA