English

Kryeministri Berisha dhurata fëmijëve jetim, me rastin e fillimit të shkollës

Tiranë, 8 shtator 2011, NOA- Kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë ditës së sotme priti në ambientet e Kryeministrisë fëmijë jetimë të qendrës “Zyber Hallulli”. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, çifti kryeministror u shpërndanë dhurata fëmijëve me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Fëmijët ishin të shoqëruar në këtë takim nga drejtoresha e kësaj qendre, Drita Mandria, të cilën kreu i qeverisë e përgëzoi për punën e bërë. Në fjalën drejtuar saj Berisha u shpreh, “Për disa specifika të tyre që kanë këta fëmijë, ju jeni dy herë më të dashur sesa për të gjithë fëmijët e tjerë dhe më të çmuar. Me punën që bëni ndikoni shumë fuqishëm në formimin e tyre, ndikoni në të ardhmen e tyre, unë e vlerësoj shumë punën që bëni me ta”. Ndërsa duke iu drejtuar fëmijëve ai tha se, “Ne, ju kemi bërë nga një dhuratë të vogël për ju, por dhe atyre që nuk janë këtu do tua përcjellim nëpërmjet mësueses dhe të gjithë fëmijëve të cilët jetojnë si ju në shtëpitë e kujdesit për fëmijët. E nisëm me shtëpinë tuaj, por do t’ju bëjmë një dhuratë për fillimin e vitit të ri shkollor të gjithë fëmijëve që jetojnë në shtëpitë e kujdesit për fëmijët jetimë si simbolikë për tu uruar mbarësi për këtë fillim viti”. Nga ana e saj drejtoresha Mandria u shpreh se, kjo qendër do të rikonstruktohet dhe jo thjesht riparohet, por do të jetë një përshtatje ambienti shtëpi- familje. Në vijim ajo theksoi se këtë vit katër nga fëmijët e kësaj qendre përfundojnë ciklin 9 vjeçar dhe do të ndjekin shkollën e mesme të përgjithshme ndërsa dy të tjerë përkatësisht kanë fituar njëri konkursin për në lice në degën e pikturës dhe tjetri ka fituar shkollën “Loro Boriçi” për futboll. Ndër dhuratat e shpërndara nga Kryeministri Berisha përfshiheshin, çanta shkolle, artikuj të ndryshëm shkollor, veshmbathje, ëmbëlsira etj. a.y/NOA

KOMENTE
  • Alban Memushi22:14 - 08 Shtator 2011
    Po mire o salinuci i sheqeres o doci sat eme si do tou thuash ature femijeve ne librat qe u ke dhene se deti qe i fala greqis u takonte atyre !?