Tiranë, 8 Shtator 2011, NOA Update - Kryeministri Sali Berisha tha sonte se materialet e publikuara nga Wikilekas janë të pabesueshme dhe më shumë u ngjajnë pasqyrave të shtypit të përditshëm të vjedhura në “Panairin e plaçkave të vjedhura”. Në intervistën për Tv Klan, Berisha iu përgjigj dhe pyetjes për kabllogramin që përfshin djalin e tij Shkëlzen Berisha në çështjen e Gërdecit. Kryeministri tha se kjo çështje është hedhur poshtë nga ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha. “Ky i përket fondit të Wikileaks. Kabllo thoshte se ka marrë një telefonatë dhe mendonte se ishte zëri i Shkëlzen Berishës dhe nuk po ja thoshte prokurorit, por ambasadorit. Kjo është më e verifikueshme. Nëse ky ishte marrë në telefon dhe ishte kërcënuar, nuk kishte gjë më të thjesht për tu gjetur kush ishte autori. Sot ky zotëri (Luan Hoxha) ka bërë një deklaratë ku thotë se nuk ja kam thënë kurrë këtë gjë këtij zotërisë (Ish-ambasadorit Xhon Uidhers)”, tha Berisha. Kryeministri tha se ja ka ndaluar djalit të tij që të bëjë padi ndaj ish-gjeneralit në lidhje me deklaratën që mendohet të jetë bërë në prani të ambasadorit. Berisha tha se nuk mund të bëhet padi ndaj një dokumenti, origjinaliteti i të cilit është i dyshimtë. “Djali im, thotë se kurrë nuk kam patur një bisedë telefonike me Luan Hoxhën dhe asnjë ushtarak tjetër. Donte t’i drejtohej drejtësisë. Unë i thashë se kurrë nuk do t’i drejtohej drejtësisë për Wikilekas. Unë nuk e di se cili është autenticitetin e Wikilekas”, tha Berisha. “Unë nuk merrem me Wikileaks dhe nuk i besoj”, shtoi ai. Kryeministri Sali Berisha tha se dokumentet, sipas tij të dyshimta të Wikilekas, u përdorën nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama për të vazhduar luftën brenda partisë së tij. Berisha u shpreh se me qëndrimet e mbajtura, Rama tregoi se u anëtarësua në partinë e Julian Asnage. “Rama u anëtarësua në partinë e Wikilekas. Bëri editorial. E përdori për të nxjerrës si spiun; Kastriotin, Andin, Pandeliun, Blushin sepse se ishin shprehur në biseda me diplomatët amerikanë. U përpoq të shfrytëzojë për luftë të brendshme në parti”, tha ai. e.t/NOA
Berisha: Janë 800 kabllo të Wikilekas, Uidhers ka mbajtur qëndrim personal