English

Letër e hapur z. Hashim Thaçi

Ndëshkimi i padrejtë i dy ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së do të jetë ndëshkim ndaj Luftës së Drejtë të popullit tonë, ndëshkim ndaj Kombit Shqiptar dhe vdekje përfundimtare e aspiratës së tij për Bashkim Genc Llakaj Tiranë, 08 shtator 2011 Z. Hashim Thaçi Për dijeni: Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës Z. Thaci, nëpërmjet kësaj letre publike, ju bëj thirrje juve personalisht, Qeverisë tuaj dhe Parlamentit të Republikës së Kosovës, të mos baltosni vlerat kombëtare shqiptare, virtytet dhe emrin e shenjtë të UÇK-së, duke ofruar si “kokë-turku”, për të kënaqur orekset e Beogradit, si z. Ramush Haradinaj, dje, po ashtu edhe z. Fatmir Limaj, sot ! Ç’bërja e luftës së drejtë të UÇK-së është dhe duhet konsideruar antishqiptarizëm, vrasje e së drejtës juridiko-historike të një kombi të tërë, madje injorim i tij. Indiferentizmi apo mundësimi i pozicionimit, pa të drejtë, në bangon e të akuzuarve, të z. Ramush Haradinaj dhe z.Fatmir Limaj, nga qeveria dhe Parlamenti i Kosovës është ekuivalente e jo një gabimi të rastit, por e një tradhtie kombëtare. Si e tillë nuk është aspak larg hapit tragjik, instalimit në opinionin mbarëbotërorë të idesë serbo-fashiste, se lufta e popullit të Kosovës ishte një “xhihad” kundër krishterimit serb e si e tillë e padrejtë. Heshtja, me ose pa qëllim, interesat e ngushta partiake, karrierizmi-egocentrik apo cinizmi i ndonjë individi brenda apo jashtë Parlamentit të Kosovës (ku ju jeni mazhorancë) lidhur me çështjen Haradinaj-Limaj, përbën tmerrësisht gabim historik kundrejtë gjithë kauzës kombëtare, injorim të aspiratës së një kombi të tërë dhe, më tragjikja, shërbesë të ulet që çon ujë në dhe vetëm në Beograd. Z. Thaçi, nëse ndiheni i qetë pas kësaj thirrjeje të sinqertë atdhetare, kam besim se do të jeni shumë i vëmendshëm në çka më poshtë ju kujtoj: Në rast se Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj dënohen, sigurisht me padrejtësi, ju do të jeni, përpos faktit në listën e radhës së Hagës, edhe përgjegjës i nënshkrimit historik, me dashje apo jo, të një precedenti shumë të rëndë për Kombin Shqiptar dhe luftën e tij 100-vjeçare kundër pushtuesve serbë. Ndëshkimi i padrejtë i dy ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së do të jetë ndëshkim ndaj Luftës së Drejtë të popullit tonë, ndëshkim ndaj Kombit Shqiptar dhe vdekje përfundimtare e aspiratës së tij për Bashkim. Ju kujtoj, juve z. Thaçi, se Evropianët kanë një shprehje: “ për të provuar një fuçi me verë, mjafton një gotë prej saj dhe jo gjithë fuçinë”. Nëse Haga, e nxitur nga interesa antishqiptare duke i shtuar dhe heshtjen e qeverisë tuaj, dënonin këta dy djem ish-luftëtar, njohja e plotë e shtetit të Kosovës do të has në ngërç, problemet në Mitrovicën e Veriut do të shtohen dhe asimilimi ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk do të mund të frenohet, përkundrazi gjithçka që deri sot është vlerë e një lufte të drejtë do të shndërrohet, nga opinioni mbarërajonal, në antivlerë. Nëse ju, personalisht, nuk keni gisht, drejtpërdrejt në këtë punë, po ju kujtoj një thënie: “heshtja është më e rrezikshme se një fjalë” Ju lutem, si shqiptar, mos heshtni ! *Dërguar nga autori, identifikohet si Sekretari Politik i FBKSH-së

KOMENTE