English

Marrëveshja mes minatorëve dhe ACR peng i një kërkese

Bulqizë, 8 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Ndërsa protestat e minatorëve nuk kanë të sosur pas mëse dy muajsh ndërprerje të punës në minierën e Bulqizës, kompania koncensionare ACR ka pranuar disa nga kërkesat e tyre. Dje përfaqësuesit e kompanisë austriake deklaruan se janë gati të nënshkruajnë marrëveshjen për rritjen e pagës me 20 përqind; pagesën e vetëm një muaji nga dy muajt e grevës, nisjen e investimeve në minierë si dhe kanë premtuar se do të paguajnë pagën e 13-të në fund të vitit. Pasi ranë në ujdi për kërkesat e tjera, kompania nuk pranoi të plotësojë një kërkesë të rëndësishme të minatorëve, largimin e drejtorit aktual të minierës së kromit në Bulqizë, Mehdad Zogut. Kjo kërkesë e papranuar ka bërë që minatorët të mos merren vesh me përfaqësuesit e kompanisë duke pasuar vijimin e protestës. Pritet që mes minatorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë të ketë rishtas negociata për marrëveshjen e shumëpritur që do të rikthente minatorët në punë. Ndërkohë marrëveshja e tyre mbetet peng tashmë vetëm i një kërkese, largimit të drejtorit të minierës dhe administratorit të firmës, e cila duket një kërkesë e panegociueshme për minatorët e Bulqizës të hedhur në protesta deri edhe ekstreme prej mëse dy muajsh. mit/NOA

KOMENTE