Tiranë, 8 shtator, NOA – Sipas MeteoAlba edhe nesër (9 shtator) vendi ynë do të mbetet në ndikimin e motit të qëndrueshëm. Që në orët e para të mëngjesit kthjellimet do të jenë dominuese në të gjithë territorin e vendin. Por duke ju afruar orëve të mesditës do të ketë kalim të vranësirave në zonat malore, përgjatë kufirit Lindor. Pjesa e dyte e ditës do të vijojë me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme në zonat malore, verilindore dhe juglindore duke lënë të gjithë pjesën tjetër të territorit në ndikimin e motit të kthjellet. Kthjellimet më shumë dominuese do të jenë në zonat bregdetare. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjate natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat minimale, ndërsa konstante do të qëndrojnë në vlerat e mesditës. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det, me shpejtësi 28 km/h dhe drejtim Perëndimorë. Dallgëzimi në detin Adriatik dhe Jon do të jetë i papërfillshëm. Europa Nesër, Europa Verilindore dhe Veriperëndimore do të mbetet me kushte të paqëndrueshme atmosferike, pasi vranësirat dhe shirat do të dominojnë në këto vende. Shira më të dendur do të bien në Skandinavi dhe në Rusi. Gjithashtu me vranësira dhe shira do të dominohen Ishujt Britanikë dhe një pjesë e Europës Qendrore, ku shirat do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Vranësira, shira të dobët dhe stuhi ere do të ketë dhe në një pjesë të Ballkanit Lindor, ku problematike situata do të paraqitet në Bullgari, pasi shirat do të bien në formë rrebeshi dhe do të sjellin rënie të temperaturave në vlerat maksimale. Ndërsa Europa Jugperëndimore, Gadishulli i Ballkanit si edhe Europa Juglindore do të karakterizohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta. Ngjarje ekstreme në Europë: Ishujt Britanikë do të rrezikohen për shira intensive dhe stuhi ere. Rusia rrezikon shira intesivë dhe stuhi ere, ndërsa Bullgaria do të rrezikoje shira të dendur dhe temperatura të ulta. a.k/NOA
Foto: Parashikimi i temperaturave për datën 9 shtator