Tiranë, 8 shtator 2011, NOA – Disa orë pas krimit të mbrëmshëm për motive të dobëta ku mbeti i vdekur në vend 28-vjeçari rom Arjan Mejdani dhe u plagosën rëndë dy pjesëtarë të familjes së tij blutë e kryeqytetit kanë prangosur në orët e para të mëngjesit të sotëm autorin e dyshuar të krimit, 35-vjeçarin Artan Shaku. Burime nga policia thanë se Artan Shaku i identifikuar që mbrëmë si agresori i tre personave në hyrje të një pallati pranë rrugës “Pandeli Cale”, pranë zonës së Selitës, u arrestua ndërsa përpiqej të largohej nga Tirana, pranë doganës së kryeqytetit në hyrje të autostradës. Tashmë janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që bashkëpunuan me Artan Shakun në vrasjen e Arjan Mejdanit mbrëmjen e të mërkurës. Ndërkohë dy të plagosurit e tjerë të ngjarjes së mbrëmshme Sajmir Mejdani, babai i viktimës dhe Besnik Muharremi, kunati i tij janë duke luftuar me vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku u dërguan menjëherë pas ngjarjes së mbrëmshme. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e krimit, ndërkohë që sipas hetimeve paraprake mësohet se shkak i tij është një sherr për motive të dobëta. mit/NOA
Në foto: Pamje nga vendngjarja