English

Raporti i kreut të OSBE, të gjitha kritikat, vlerësimet dhe këshillat

Shefi i OSBE: Qeveria, sulme të ashpra Topit dhe Ina Ramës

Kreu i OSBE: Në vend të dialogut, opozita organizoi "21 Janarin"

"Qeveria u jep mediave reklama publike në mënyrë selektive"

Raporti i plotë i kreut të OSBE për Shqipërinë

Tiranë, 8 Shtator 2011 NOA – Në raportin që kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, mbajti sot para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, u bë një përmbledhje e zhvillimeve politike, sociale dhe ato që lidhen me procesin zgjedhor në vendin tonë për vitin në vazhdim. Në fjalimin e gjatë që mbajti, kreu i OSBE vuri në dukje disa kritika dhe vlerësime si dhe këshilla për neutralizimin e problemeve, të cilat i gjeni të renditura më poshtë: U hoqën vizat Nga këndvështrimi shqiptar, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike, më 15 dhjetor 2010. Deri më sot, qytetarët shqiptarë kanë treguar se e kanë merituar besimin që u është dhënë nga të gjitha vendet e zonës Schengen. Vlerësim institucioneve shtetërore Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme duhet vlerësuar për mbështetjen që ka dhënë, ashtu sikurse edhe gjithë ministritë e tjera të linjës, institucionet shtetërore dhe shoqëria civile, me të cilat Prezenca ka punuar. Në fund, duhet t'u shprehim vlerësimin tonë edhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe institucioneve shumëpalëshe, që kanë financuar programet tona gjatë vitit të fundit. Ngërçi s’ka të sosur Çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash. Më tej, axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj. Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë. Ngërçi vazhdoi deri në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të muajit maj. Këshillat Tashmë, të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t'i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi. Vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës në axhendën e reformave. Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, rekomandimet që përmban raporti përfundimtar i Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Kuptohet se, që të ndodhë kjo, duhet të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak. Një reformë e plotë duhet të jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e panxituar; dhe c) sa më konsensuale. Një reformë e mbështetur në të tre këta elementë është e mundur vetëm nëse drejtuesit e partive duan që ajo të jetë e mundur. Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj. Duke pasur parasysh zvarritjen e shpeshtë të reformave të mëparshme zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi, të planifikuar për në vitin 2012, ende ekziston potenciali për sfida të mëtejshme. Përfshirja e mundshme e rishikimit të sistemit zgjedhor, në çfarëdolloj reforme, përforcon nevojën për një fillim të menjëhershëm të procesit të reformës. Duke e marrë si të mirëqenë se të dyja palët duan vërtet që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare, ato, ose duhet ta fillojnë reformën që tani ose të përballen me rrezikun e një dështimi tjetër. Në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in, Prezenca do t'i ofrojë mbështetje procesit të reformës, me qëllim që ai të nisë e të vijojë me ritëm, për të arritur një rezultat konsensual, në kohën e duhur. PS pengoi reformat Sa i përket Kuvendit, megjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t'iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat. Si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore. Thënë kjo, duke supozuar se tani e tutje opozita do të tregojë, më në fund, një vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend, edhe më shumë duhet të bëhet nga kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më gjithëpërfshirëse. Qeveria duhet të punojë me opozitën Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, koalicioni qeverisës ka të drejtën politike të qeverisë, është gjithashtu e qartë kërkesa për ta përfshirë opozitën në proceset e hartimit të politikave dhe për t'i dhënë asaj hapësirën e mjaftueshme për mbikëqyrjen e qeverisë. Kuvendi, reforma gjysmake Megjithëse pati një sërë përpjekjesh të Koalicionit Qeverisës për të reformuar Rregulloren e Brendshme të Kuvendit, këto ndryshime u duk sikur kishin si objektiv vetëm disa fusha të kufizuara të jetës parlamentare dhe, përveç kësaj, nuk u miratuan me konsensus. Këshilla Duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislative dhe rregulloreve të brendshme si: ligji për statusin e deputetit, ligji për punën e kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Rregullorja e Brendshme e Kuvendit, për t'u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve të përmbushin në mënyrë efikase detyrat e tyre. Këto ndryshime duhet të miratohen me konsensusin e të dyja palëve. Kuvendi, plot mungesë transparence Ndonëse janë bërë hapa përpara lidhur me vënien në dispozicion të publikut të procesverbaleve të mbledhjeve të Kuvendit, procesi i hartimit të ligjeve karakterizohet shpesh nga mungesa e transparencës, konsultimit të duhur, përgatitjes cilësore të projektligjeve dhe afateve të mjaftueshme kohore për një shqyrtim të plotë. Një çështje problematike është pamundësia e deputetëve dhe punonjësve të Kuvendit për të qenë vazhdimisht të informuar në lidhje me ndryshimet në projektligje. Megjithëse Shqipëria është angazhuar të miratojë rregulla specifike për forcimin e transparencës publike dhe procesit të konsultimit, nuk është miratuar asnjë rregullim ligjor për këtë qëllim. Dispozitat e Rregullores së Brendshme që nxisin seancat dëgjimore të hapura për publikun, rrallë vihen në praktikë dhe ftesat për pjesëmarrje duket të jenë selektive. Imuniteti, zgjidhje e paqartë Kuvendi ndryshoi ligjin për imunitetin ndaj ndjekjes penale. Si rrjedhojë, deputetët tashmë mund të heqin dorë nga imuniteti i tyre në rast të ndjekjes penale për akuza për korrupsion, duke nënshkruar një deklaratë individuale në fillim të mandatit të tyre. Megjithatë, imuniteti mbetet prerogativë e Kuvendit dhe jo e një deputeti të vetëm. Kështu, një deputet nuk mund të autorizojë një ndjekje penale, ashtu sikurse as Kuvendi nuk mund të japë një autorizim ex ante për këtë qëllim. Prandaj, miratimi nga ana e Kuvendit e një dispozite të tillë mbetet i hapur për debat, pasi deklarata mund të kthehet në një pengesë për ndjekje të mundshme penale. Pasojat e ngërçit Ajo që ngërçi politik solli për shtetin e së drejtës ishte pamundësia për të miratuar ligje dhe për të emëruar zyrtarë të lartë të shtetit, që kërkojnë një shumicë të cilësuar; duke përfshirë projektligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që nevojitet për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe projektligji për gjykatat administrative, që nevojitet për ngritjen e gjykatave që merren me mosmarrëveshjet administrative. Duhet pavarësi institucionesh Pavarësia e institucioneve shtetërore dhe e gjyqësorit ka nevojë të përforcohet edhe më tej, pasi sistemit të drejtësisë i mungon aktualisht transparenca, përgjegjshmëria dhe efiçenca e mjaftueshme. Ndryshime kushtetuese, PD kundër PS Kohët e fundit, janë bërë disa deklarata publike nga opozita, e cila ka bërë thirrje për reformë kushtetuese. Deri tani, këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga koalicioni qeverisës. Ndryshimet e fundit kushtetuese datojnë në prill të vitit 2008 dhe janë bërë me miratimin konsensual të të dyja partive kryesore politike dhe të një shumice dërrmuese në Kuvend. Në atë kohë, shumë dolën me argumentin se ndryshimet e propozuara kërkonin një shqyrtim më të madh dhe se ndryshimet për të cilat ishte rënë dakord shkaktonin shqetësime legjitime në lidhje me ndarjen kushtetuese të pushteteve – konkretisht të pushtetit në dukje më të madh të Kryeministrit në raport me pushtetin e Presidentit. Megjithatë, koalicioni qeverisës i qëndron idesë se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të amendohen, ndërkohë që kanë kaluar vetëm tre vjet, e madje edhe më vonë kjo mund të bëhet vetëm pas përgatitjeve të shëndosha. Meqenëse ndryshimet e bëra në vitin 2008 kishin miratimin e të dyja palëve, koalicioni qeverisës thotë se çfarëdolloj thirrjeje për rishikime të mëtejshme, e bërë në këtë moment, mund të shihet si një thirrje me natyrë politike. Në fund të fundit, duhet të jenë aktorët vendas ata që vendosin se sa me vend është diskutimi rreth Kushtetutës pikërisht në këtë moment. Reformat, në rrezik nga mllefi politik Nëse periudha nga tani deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka për të qenë një periudhë ku do të shihen përparime në çuarjen përpara të axhendës së reformave, atëherë të gjitha palët politike duhet të llogarisin vëllimin dhe përmasat e "projekteve" legjislative që mund të ndërmerren. Përndryshe, mbetet rreziku që qëllimet e mira të "mbyten" politikisht mes një përzierjeje mbingarkese institucionale dhe mllefi politik. Objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të diskutohen më pas. “Gërdeci”, zhgënjim total Çështja gjyqësore e Gërdecit në lidhje me shpërthimin në një punishte të çmontimit të municioneve afër Tiranës, në vitin 2008, në të cilin mbetën të vrarë 26 vetë, ka vazhduar pa ndonjë shenjë përfundimi. Procesi gjyqësor, në këtë rast, nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ndonëse një i akuzuar duhet të ketë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor. Vonesat e mëtejshme veçse do të cenojnë besimin aq të nevojshëm të publikut te shteti i së drejtës. Autoritetet e sistemit të drejtësisë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar zhvillimin dhe përmbylljen në afate të arsyeshme të seancave gjyqësore të hapura për publikun dhe të një gjykimi të drejtë. Publiku mbetet i zhgënjyer dhe i lodhur nga zvarritja e kësaj çështjeje. Kjo situatë meriton disa përgjigje konkrete, në mënyrë që të nxirren disa mësime. Romët, vazhdojnë të jenë shumë të margjinalizuar Në lidhje me të drejtat e njeriut, megjithëse ekziston kuadri ligjor për mbrojtjen e pakicave, zbatimi i tij, veçanërisht në rastin e pakicës rome, mbetet po ai që ka qenë. Romët vazhdojnë të jenë shumë të margjinalizuar dhe përballen me një shkallë të lartë papunësie, analfabetizmi dhe mundësi të pakta për kujdes shëndetësor dhe arsimim. Megjithëse është miratuar një strategji kombëtare për romët, nuk ka pasur ndonjë shenjë të dukshme të zbatimit të saj. Sa u përket të drejtave të fëmijëve, miratimi i një ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve forcoi kuadrin ligjor dhe institucional për këtë çështje. Pas Dobjanit, s’ka AP të ri Megjithëse mandati i Avokatit të Popullit mbaroi në shkurt 2010, ky post vazhdon të mbetet bosh, pasi emërimi i një Avokati të ri Populli kërkon shumicën e cilësuar në Kuvend. Për më shumë se një vit, të gjitha detyrat janë kryer nga komisioneri më i vjetër në detyrë, edhe pse ligji lejon që praktika të tilla të vazhdojnë vetëm për një muaj. Megjithëse detyrat e reja të Avokatit të Popullit si Mekanizmi Kombëtar Parandalues janë kryer me sukses, në shumë raste agjencitë lokale të qeverisë nuk kanë arritur t'i zbatojnë rekomandimet e ardhura nga kjo Zyrë. Burgjet janë plot e përplot Mbipopullimi i burgjeve vazhdon të mbetet problem, sidomos në burgun e vetëm të grave dhe në mjediset e paraburgimit. Gjithashtu, kujdesi shëndetësor është i pamjaftueshëm, veçanërisht në lidhje me çështjet e shëndetit mendor. Të ndaluarit me probleme të shëndetit mendor duhet të trajtohen jashtë sistemit të burgjeve, ashtu siç parashikon legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar. Pronat, ende në pikë të hallit Sa i përket reformës së pronës, investimet dhe huamarrja private dhe publike vazhdojnë të pengohen për shkak se jo në të gjitha rastet mund të garantohet pronësia në të gjitha hallkat e sistemit. Këto çështje do të mbeten të pazgjidhura derisa të ketë më shumë progres në zhvillimin e një strategjie të plotë për reformën e pronës. Një tjetër shqetësim mbeten edhe pretendimet e pazgjidhura të ish-pronarëve për kompensim ose kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit të kaluar. Aktualisht, u dhënë zgjidhje pretendimeve të vetëm pak ish-pronarëve. Ky proces është ngadalësuar për shkak të një debati lidhur me kompetencat e agjencisë së ngarkuar me detyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Duket se ka gjithashtu edhe një mungesë transparence dhe konsultimi në hartimin e ligjeve të lidhura me pronat. Bashkërendimi midis qeverisë dhe agjencive përkatëse shtetërore ka nevojë të forcohet, pasi aktualisht ka mungesa të panevojshme efiçence dhe dublim përpjekjesh. Mungesa e një kuadri të qartë strategjik ka çuar në një planifikim jo të mirë dhe në financime të pamjaftueshme buxhetore për garantimin e zbatimit të plotë të ligjeve të lidhura me pronat. Pronat, qeveria po përpiqet Pozitiv është fakti që qeveria ka hartuar një plan veprimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që lidhen me procesin e kthimit të pronave. Ky plan veprimi është pritet të marrë miratimin e tij përfundimtar në Kuvend. Korrupsioni, qeveria ka punuar Në luftën kundër korrupsionit, harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit vendas me detyrimet ndërkombëtare përbën një zhvillim pozitiv. Qeveria ka mundur të miratojë disa ndryshime në Kodin Penal që lidhen me veprat e korrupsionit të zyrtarëve të huaj dhe të vendosë disa penalitete të rëndësishme për korrupsionin në sektorin privat. Progres është arritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke përfshirë një rritje e shkallës së ndjekjes të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të ulët dhe të mesëm. Edhe futja në përdorim e sistemeve elektronike të prokurimit në administratën publike i zvogëlon kontaktet midis autoriteteve kontraktuese dhe ofertuesve, duke ulur kështu edhe mundësitë për korrupsion. Ina Rama nuk ndjek zyrtarët e lartë E megjithatë, ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion vazhdon të mbetet një problem, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as mosndjekja e këtyre rasteve nga Prokuroria. Edhe imuniteti i zyrtarëve të lartë publikë mbetet një çështje e rëndësishme që duhet adresuar. Përpjekjet e koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë nuk patën sukses për shkak të ngërçit politik. Një historik më i plotë i vendimeve të gjykatës dhe dënimeve dhe/ose gjobave të përshtatshme në çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë është i rëndësishëm për rivendosjen e besimit të publikut. Këshilla Lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses vetëm në qoftë se të gjitha palët punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin atë për interesat e tyre. Trafiqet, qeveria ka punuar Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, janë vënë re shenja pozitive në: hartimin e procedurave standarde të veprimit për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e personave të trafikuar, hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit kundër Trafikimit për periudhën 2011-2013 dhe vendimit të qeverisë për mbështetjen buxhetore të viktimave të trafikimit. Gjithashtu, është rritur edhe identifikimi i viktimave të trafikimit të kthyera nga vende të tjera. Trafiqet, ku çalon funksionimi i luftës Megjithatë, mbetet i pamjaftueshëm identifikimi i viktimave të brendshme të trafikimit për shkak të kuadrit aktual ligjor, teknikave të dobëta hetimore, bashkëpunimit të pamjaftueshëm mes agjencive të ndryshme dhe korrupsionit. Korrupsioni në gjyqësor e pengon qeverinë në ndjekjen e trafikantëve të dyshuar. Skemat shtetërore të mbrojtjes janë të pamjaftueshme për t'u ofruar dëshmitarëve mbrojtjen e nevojshme. Puna e fëmijëve, veçanërisht lypja e detyruar, mbetet një fushë që ka nevojë për vëmendje, ndërkohë që sistemit të mbrojtjes së fëmijëve i mungon përfshirja e nevojshme e shërbimeve sociale shtetërore. Gjithashtu, format e shfrytëzimit të punës kanë nevojë për më tepër hetim dhe vëmendje. Duhet të bëhen më tepër përpjekje për shqyrtimin e emigrantëve të paligjshëm të ndaluar gjatë kalimit të tyre tranzit në Shqipëri për të identifikuar viktimat e mundshme të trafikimit. Antikrimi, edhe është bërë edhe duhet bërë Në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka ndjekur penalisht disa raste të rëndësishme të pastrimit të parave, pas miratimit të të ashtuquajturit "ligji anti-mafia". Legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me standardet ndërkombëtare. Përveç kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të futur masa parandaluese dhe për të reduktuar transaksionet në kesh. Është vënë re një rritje e operacioneve të përbashkëta me shërbime të tjera policore të vendeve të BE-së në lidhje me konfiskimin e drogës dhe veprimtarive të tjera të krimit të organizuar. Është vënë re, gjithashtu, një rritje e konfiskimit të pasurive kriminale. Këshillat Tashmë nevojitet një forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit institucional midis agjencive të zbatimit të ligjit. Sa i përket krimit kibernetik, janë organizuar operacione të rëndësishme policore në lidhje me falsifikimin e kartave të kreditit dhe vjedhjes nëpërmjet internetit. Është përdorur gjerësisht sistemi online i informacioneve sekrete në lidhje me aktivitete kriminale, i cili ka çuar në një rritje të numrit të arrestimeve dhe reduktim të trafikut të drogës. Tani, procesi duhet të përfshijë transferimin në sistem të të gjitha të dhënave nga dosjet kriminale dhe përdorimin e tij nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Ndërsa policia është bërë më e aftë të përdorë teknika të përparuara të hetimit të krimeve, kapacitetet e mjekësisë ligjore kanë nevojë që të forcohen për të lejuar përdorimin më të shpeshtë si provë të ADN-së. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është tashmë më i aftë për të hetuar korrupsionin e brendshëm. Mediat, qeveria nuk ndëshkon gazetarët Në lidhje me median, liria e shprehjes përgjithësisht respektohet. Nuk dihet te ketë ndonjë rast të ndonjë gazetari të çuar në gjykatë nga shteti për shkak të bindjeve të shprehura publikisht. Qeveria mbështet mediat në mënyrë selektive Ajo që po vihet re, është se qeveria është në gjendje të "inkurajojë" disa media më shumë se të tjerat, ose duke u dhënë në mënyrë selektive reklama publike, ose duke përdorur dispozita të veçanta në kontrata qiradhënieje për mjedise shtetërore me media të caktuara, në një përpjekje për të nxjerrë disa dhe/ose për të futur në këto mjedise disa të tjera. E ardhmja, çdo të bëhet? Duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël. Nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë do t'u duhet të përmbushin angazhimet e marra. Mesazhi është i thjeshtë: "Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave". Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë - në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!

Shefi i OSBE: Qeveria, sulme të ashpra Topit dhe Ina Ramës

Kreu i OSBE: Në vend të dialogut, opozita organizoi "21 Janarin"

Kryetari i OSBE: Qeveria u jep mediave reklama publike në mënyrë selektive

Raporti i plotë i kreut të OSBE për Shqipërinë

KOMENTE