Më poshtë publikohet raporti i plotë që z. Wollfarth, kryetarit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, mbajti sot para këshillit të përhershëm të OSBE-së. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë Prezenca në Shqipëri: RAPORTI Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka vazhduar të përfitojë nga udhëzimet e dhëna nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, Kryesia e Radhës e OSBE-së dhe nga Sekretariati për politikat e ndryshme gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Prezenca ka pasur, gjithashtu, edhe vizita të nivelit të lartë nga Kryesia lituane e Radhës e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, të cilët, që të gjithë, ndihmuan në lidhje me situatën politike dhe me forcimin e lidhjeve institucionale me Shqipërinë. Prezenca vijoi të bashkëpunojë ngushtë me misionet fqinje të OSBE-së, duke përfshirë organizimin e takimit të përvitshëm rajonal të kryetarëve të misioneve në Tiranë. Në kryerjen e gjithë veprimtarive të saj, Prezenca është përpjekur të reflektojë përparësitë strategjike kombëtare. Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme duhet vlerësuar për mbështetjen që ka dhënë, ashtu sikurse edhe gjithë ministritë e tjera të linjës, institucionet shtetërore dhe shoqëria civile, me të cilat Prezenca ka punuar. Në fund, duhet t'u shprehim vlerësimin tonë edhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe institucioneve shumëpalëshe, që kanë financuar programet tona gjatë vitit të fundit. SITUATA E PËRGJITHSHME Nga këndvështrimi shqiptar, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike, më 15 dhjetor 2010. Deri më sot, qytetarët shqiptarë kanë treguar se e kanë merituar besimin që u është dhënë nga të gjitha vendet e zonës Schengen. Megjithatë, çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash. Më tej, axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj. Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë. Ngërçi vazhdoi deri në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të muajit maj. Tashmë, të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t'i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi. Vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës në axhendën e reformave. Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, ky raport nuk do t'i hyjë ndonjë vlerësimi të hollësishëm të procesit zgjedhor, pasi ajo që duhet thënë thuhet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Të gjitha palët politike duhet ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë. Rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Kuptohet se, që të ndodhë kjo, duhet të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak. Një reformë e plotë duhet të jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e panxituar; dhe c) sa më konsensuale. Një reformë e mbështetur në të tre këta elementë është e mundur vetëm nëse drejtuesit e partive duan që ajo të jetë e mundur. Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj. Duke pasur parasysh zvarritjen e shpeshtë të reformave të mëparshme zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi, të planifikuar për në vitin 2012, ende ekziston potenciali për sfida të mëtejshme. Përfshirja e mundshme e rishikimit të sistemit zgjedhor, në çfarëdolloj reforme, përforcon nevojën për një fillim të menjëhershëm të procesit të reformës. Duke e marrë si të mirëqenë se të dyja palët duan vërtet që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare, ato, ose duhet ta fillojnë reformën që tani ose të përballen me rrezikun e një dështimi tjetër. Në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in, Prezenca do t'i ofrojë mbështetje procesit të reformës, me qëllim që ai të nisë e të vijojë me ritëm, për të arritur një rezultat konsensual, në kohën e duhur. Sa u përket ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë, edhe ai i Kuvendit, vazhdon, duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër. Në ditët që pasuan këto trazira, u vu re gjuha më e ashpër e përdorur ndonjëherë publikisht së fundmi nga të dyja palët, jo më pak edhe nga qeveria në sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme, të cilat veçse acaruan edhe më tej një situatë tanimë të tensionuar. Të gjitha palët duket se e kuptojnë tashmë se sjelljet e secilës prej tyre në këtë periudhë nuk ndihmuan shumë për të përmirësuar reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Deri tani, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as komisioni hetimor parlamentar nuk kanë qenë në gjendje të dalin me ndonjë rezultat të prekshëm. Sa i përket Kuvendit, megjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t'iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat. Si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore. Thënë kjo, duke supozuar se tani e tutje opozita do të tregojë, më në fund, një vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend, edhe më shumë duhet të bëhet nga kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më gjithëpërfshirëse. Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, koalicioni qeverisës ka të drejtën politike të qeverisë, edhe gjithashtu e qartë kërkesa për ta përfshirë opozitën në proceset e hartimit të politikave dhe për t'i dhënë asaj hapësirën e mjaftueshme për mbikëqyrjen e qeverisë. Megjithëse pati një sërë përpjekjesh të Koalicionit Qeverisës për të reformuar Rregulloren e Brendshme të Kuvendit, këto ndryshime u duk sikur kishin si objektiv vetëm disa fusha të kufizuara të jetës parlamentare dhe, përveç kësaj, nuk u miratuan me konsensus. Duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislative dhe rregulloreve të brendshme si: ligji për statusin e deputetit, ligji për punën e kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Rregullorja e Brendshme e Kuvendit, për t'u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve të përmbushin në mënyrë efikase detyrat e tyre. Këto ndryshime duhet të miratohen me konsensusin e të dyja palëve. Ndonëse janë bërë hapa përpara lidhur me vënien në dispozicion të publikut të procesverbaleve të mbledhjeve të Kuvendit, procesi i hartimit të ligjeve karakterizohet shpesh nga mungesa e transparencës, konsultimit të duhur, përgatitjes cilësore të projektligjeve dhe afateve të mjaftueshme kohore për një shqyrtim të plotë. Një çështje problematike është pamundësia e deputetëve dhe punonjësve të Kuvendit për të qenë vazhdimisht të informuar në lidhje me ndryshimet në projektligje. Megjithëse Shqipëria është angazhuar të miratojë rregulla specifike për forcimin e transparencës publike dhe procesit të konsultimit, nuk është miratuar asnjë rregullim ligjor për këtë qëllim. Dispozitat e Rregullores së Brendshme që nxisin seancat dëgjimore të hapura për publikun, rrallë vihen në praktikë dhe ftesat për pjesëmarrje duket të jenë selektive. Kuvendi ndryshoi ligjin për imunitetin ndaj ndjekjes penale. Si rrjedhojë, deputetët tashmë mund të heqin dorë nga imuniteti i tyre në rast të ndjekjes penale për akuza për korrupsion, duke nënshkruar një deklaratë individuale në fillim të mandatit të tyre. Megjithatë, imuniteti mbetet prerogativë e Kuvendit dhe jo e një deputeti të vetëm. Kështu, një deputet nuk mund të autorizojë një ndjekje penale, ashtu sikurse as Kuvendi nuk mund të japë një autorizim ex ante për këtë qëllim. Prandaj, miratimi nga ana e Kuvendit e një dispozite të tillë mbetet i hapur për debat, pasi deklarata mund të kthehet në një pengesë për ndjekje të mundshme penale. Ajo që ngërçi politik solli për shtetin e së drejtës ishte pamundësia për të miratuar ligje dhe për të emëruar zyrtarë të lartë të shtetit, që kërkojnë një shumicë të cilësuar; duke përfshirë projektligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që nevojitet për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe projektligji për gjykatat administrative, që nevojitet për ngritjen e gjykatave që merren me mosmarrëveshjet administrative. Pavarësia e institucioneve shtetërore dhe e gjyqësorit ka nevojë të përforcohet edhe më tej, pasi sistemit të drejtësisë i mungon aktualisht transparenca, përgjegjshmëria dhe efiçenca e mjaftueshme. Ndërsa miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave i një strategjie për reformimin e sektorit të drejtësisë tregon vullnet politik për reformim, mbetet e hapur pyetja nëse kjo strategji do të ketë ndikimin për të cilin është hartuar. Edhe adresimi i çështjes së reformës kërkon sërish vullnet më të madh politik. Zëvendësimi i dy të tretave të nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë plotësisht. Sa i përket interpretimit të nenit përkatës të Kushtetutës, Gjykata vendosi se Presidenti dhe Kuvendi duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore për të pasur një përbërje cilësore të Gjykatës dhe se duhen përcaktuar mekanizmat e duhur për rinovimin e përbërjes së Gjykatës çdo tre vjet. Pas këtij vendimi, u emëruan vetëm tre gjyqtarë të rinj, kurse tre kandidaturat e tjera iu kthyen Presidentit nga Kuvendi. Ky kthim është argumentuar me shpjegimin se një zëvendësim aktual i dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës do të cenonte Kushtetutën. Megjithatë, ndonëse nga njëra anë zëvendësimi i njëkohshëm i gjashtë gjyqtarëve cenon dispozitën kushtetuese, sipas së cilës një e treta duhet të zëvendësohet çdo tre vjet, nga ana tjetër, situata aktuale, ku disa gjyqtarë vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë për më shumë se një vit pas përfundimit të mandatit, cenon dispozitën kushtetuese që e kufizon mandatin e tyre në nëntë vjet. Kuvendi tani duhet t'i japë një zgjidhje kësaj çështjeje. Kohët e fundit, janë bërë disa deklarata publike nga opozita, e cila ka bërë thirrje për reformë kushtetuese. Deri tani, këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga koalicioni qeverisës. Ndryshimet e fundit kushtetuese datojnë në prill të vitit 2008 dhe janë bërë me miratimin konsensual të të dyja partive kryesore politike dhe të një shumice dërrmuese në Kuvend. Në atë kohë, shumë dolën me argumentin se ndryshimet e propozuara kërkonin një shqyrtim më të madh dhe se ndryshimet për të cilat ishte rënë dakord shkaktonin shqetësime legjitime në lidhje me ndarjen kushtetuese të pushteteve – konkretisht të pushtetit në dukje më të madh të Kryeministrit në raport me pushtetin e Presidentit. Megjithatë, koalicioni qeverisës i qëndron idesë se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të amendohen, ndërkohë që kanë kaluar vetëm tre vjet, e madje edhe më vonë kjo mund të bëhet vetëm pas përgatitjeve të shëndosha. Meqenëse ndryshimet e bëra në vitin 2008 kishin miratimin e të dyja palëve, koalicioni qeverisës thotë se çfarëdolloj thirrjeje për rishikime të mëtejshme, e bërë në këtë moment, mund të shihet si një thirrje me natyrë politike. Në fund të fundit, duhet të jenë aktorët vendas ata që vendosin se sa me vend është diskutimi rreth Kushtetutës pikërisht në këtë moment. Nëse periudha nga tani deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka për të qenë një periudhë ku do të shihen përparime në çuarjen përpara të axhendës së reformave, atëherë të gjitha palët politike duhet të llogarisin vëllimin dhe përmasat e "projekteve" legjislative që mund të ndërmerren. Përndryshe, mbetet rreziku që qëllimet e mira të "mbyten" politikisht mes një përzierjeje mbingarkese institucionale dhe mllefi politik. Objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të diskutohen më pas. Çështja gjyqësore e Gërdecit në lidhje me shpërthimin në një punishte të çmontimit të municioneve afër Tiranës, në vitin 2008, në të cilin mbetën të vrarë 26 vetë, ka vazhduar pa ndonjë shenjë përfundimi. Procesi gjyqësor, në këtë rast, nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ndonëse një i akuzuar duhet të ketë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor. Vonesat e mëtejshme veçse do të cenojnë besimin aq të nevojshëm të publikut te shteti i së drejtës. Autoritetet e sistemit të drejtësisë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar zhvillimin dhe përmbylljen në afate të arsyeshme të seancave gjyqësore të hapura për publikun dhe të një gjykimi të drejtë. Publiku mbetet i zhgënjyer dhe i lodhur nga zvarritja e kësaj çështjeje. Kjo situatë meriton disa përgjigje konkrete, në mënyrë që të nxirren disa mësime. Në lidhje me të drejtat e njeriut, megjithëse ekziston kuadri ligjor për mbrojtjen e pakicave, zbatimi i tij, veçanërisht në rastin e pakicës rome, mbetet po ai që ka qenë. Romët vazhdojnë të jenë shumë të margjinalizuar dhe përballen me një shkallë të lartë papunësie, analfabetizmi dhe mundësi të pakta për kujdes shëndetësor dhe arsimim. Megjithëse është miratuar një strategji kombëtare për romët, nuk ka pasur ndonjë shenjë të dukshme të zbatimit të saj. Sa u përket të drejtave të fëmijëve, miratimi i një ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve forcoi kuadrin ligjor dhe institucional për këtë çështje. Megjithëse mandati i Avokatit të Popullit mbaroi në shkurt 2010, ky post vazhdon të mbetet bosh, pasi emërimi i një Avokati të ri Populli kërkon shumicën e cilësuar në Kuvend. Për më shumë se një vit, të gjitha detyrat janë kryer nga komisioneri më i vjetër në detyrë, edhe pse ligji lejon që praktika të tilla të vazhdojnë vetëm për një muaj. Megjithëse detyrat e reja të Avokatit të Popullit si Mekanizmi Kombëtar Parandalues janë kryer me sukses, në shumë raste agjencitë lokale të qeverisë nuk kanë arritur t'i zbatojnë rekomandimet e ardhura nga kjo Zyrë. Mbipopullimi i burgjeve vazhdon të mbetet problem, sidomos në burgun e vetëm të grave dhe në mjediset e paraburgimit. Gjithashtu, kujdesi shëndetësor është i pamjaftueshëm, veçanërisht në lidhje me çështjet e shëndetit mendor. Të ndaluarit me probleme të shëndetit mendor duhet të trajtohen jashtë sistemit të burgjeve, ashtu siç parashikon legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar. Sa i përket reformës së shërbimit civil, procedurat institucionale për marrjen në punë, ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe heqjen nga puna të zyrtarëve të administratës publike kërkojnë një forcim të mëtejshëm të transparencës dhe shtetit të së drejtës. Komisioni i Shërbimit Civil vazhdon të mos jetë në gjendje të luajë plotësisht rolin e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis nëpunësve civilë dhe institucioneve shtetërore. Megjithatë, kjo përbën më tepër një pasqyrim të mungesës së vullnetit të institucioneve shtetërore për të zbatuar vendimet e Komisionit. Pavarësia e tij duhet të respektohet nga të gjitha institucionet e tjera publike. Një pjesë e madhe e vendimeve të formës së prerë të gjykatës mbi ligjshmërinë e pushimeve nga puna ende nuk janë zbatuar. Sistemi për shqyrtimin gjyqësor të vendimeve administrative duhet të bëhet më i pavarur, më i përgjegjshëm dhe më transparent, përmes ngritjes së një sistemi gjykatash administrative, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare. Sa i përket reformës së pronës, investimet dhe huamarrja private dhe publike vazhdojnë të pengohen për shkak se jo në të gjitha rastet mund të garantohet pronësia në të gjitha hallkat e sistemit. Këto çështje do të mbeten të pazgjidhura derisa të ketë më shumë progres në zhvillimin e një strategjie të plotë për reformën e pronës. Një tjetër shqetësim mbeten edhe pretendimet e pazgjidhura të ish-pronarëve për kompensim ose kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit të kaluar. Aktualisht, u dhënë zgjidhje pretendimeve të vetëm pak ish-pronarëve. Ky proces është ngadalësuar për shkak të një debati lidhur me kompetencat e agjencisë së ngarkuar me detyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Duket se ka gjithashtu edhe një mungesë transparence dhe konsultimi në hartimin e ligjeve të lidhura me pronat. Bashkërendimi midis qeverisë dhe agjencive përkatëse shtetërore ka nevojë të forcohet, pasi aktualisht ka mungesa të panevojshme efiçence dhe dublim përpjekjesh. Mungesa e një kuadri të qartë strategjik ka çuar në një planifikim jo të mirë dhe në financime të pamjaftueshme buxhetore për garantimin e zbatimit të plotë të ligjeve të lidhura me pronat. Pozitiv është fakti që qeveria ka hartuar një plan veprimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që lidhen me procesin e kthimit të pronave. Ky plan veprimi është pritet të marrë miratimin e tij përfundimtar në Kuvend. Në luftën kundër korrupsionit, harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit vendas me detyrimet ndërkombëtare përbën një zhvillim pozitiv. Qeveria ka mundur të miratojë disa ndryshime në Kodin Penal që lidhen me veprat e korrupsionit të zyrtarëve të huaj dhe të vendosë disa penalitete të rëndësishme për korrupsionin në sektorin privat. Progres është arritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke përfshirë një rritje e shkallës së ndjekjes të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të ulët dhe të mesëm. Edhe futja në përdorim e sistemeve elektronike të prokurimit në administratën publike i zvogëlon kontaktet midis autoriteteve kontraktuese dhe ofertuesve, duke ulur kështu edhe mundësitë për korrupsion. E megjithatë, ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion vazhdon të mbetet një problem, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as mosndjekja e këtyre rasteve nga Prokuroria. Edhe imuniteti i zyrtarëve të lartë publikë mbetet një çështje e rëndësishme që duhet adresuar. Përpjekjet e koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë nuk patën sukses për shkak të ngërçit politik. Një historik më i plotë i vendimeve të gjykatës dhe dënimeve dhe/ose gjobave të përshtatshme në çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë është i rëndësishëm për rivendosjen e besimit të publikut. Lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses vetëm në qoftë se të gjitha palët punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin atë për interesat e tyre. Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, janë vënë re shenja pozitive në: hartimin e procedurave standarde të veprimit për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e personave të trafikuar, hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit kundër Trafikimit për periudhën 2011-2013 dhe vendimit të qeverisë për mbështetjen buxhetore të viktimave të trafikimit. Gjithashtu, është rritur edhe identifikimi i viktimave të trafikimit të kthyera nga vende të tjera. Megjithatë, mbetet i pamjaftueshëm identifikimi i viktimave të brendshme të trafikimit për shkak të kuadrit aktual ligjor, teknikave të dobëta hetimore, bashkëpunimit të pamjaftueshëm mes agjencive të ndryshme dhe korrupsionit. Korrupsioni në gjyqësor e pengon qeverinë në ndjekjen e trafikantëve të dyshuar. Skemat shtetërore të mbrojtjes janë të pamjaftueshme për t'u ofruar dëshmitarëve mbrojtjen e nevojshme. Puna e fëmijëve, veçanërisht lypja e detyruar, mbetet një fushë që ka nevojë për vëmendje, ndërkohë që sistemit të mbrojtjes së fëmijëve i mungon përfshirja e nevojshme e shërbimeve sociale shtetërore. Gjithashtu, format e shfrytëzimit të punës kanë nevojë për më tepër hetim dhe vëmendje. Duhet të bëhen më tepër përpjekje për shqyrtimin e emigrantëve të paligjshëm të ndaluar gjatë kalimit të tyre tranzit në Shqipëri për të identifikuar viktimat e mundshme të trafikimit. Në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka ndjekur penalisht disa raste të rëndësishme të pastrimit të parave, pas miratimit të të ashtuquajturit "ligji anti-mafia". Legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me standardet ndërkombëtare. Përveç kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të futur masa parandaluese dhe për të reduktuar transaksionet në kesh. Është vënë re një rritje e operacioneve të përbashkëta me shërbime të tjera policore të vendeve të BE-së në lidhje me konfiskimin e drogës dhe veprimtarive të tjera të krimit të organizuar. Është vënë re, gjithashtu, një rritje e konfiskimit të pasurive kriminale. Tashmë nevojitet një forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit institucional midis agjencive të zbatimit të ligjit. Sa i përket krimit kibernetik, janë organizuar operacione të rëndësishme policore në lidhje me falsifikimin e kartave të kreditit dhe vjedhjes nëpërmjet internetit. Është përdorur gjerësisht sistemi online i informacioneve sekrete në lidhje me aktivitete kriminale, i cili ka çuar në një rritje të numrit të arrestimeve dhe reduktim të trafikut të drogës. Tani, procesi duhet të përfshijë transferimin në sistem të të gjitha të dhënave nga dosjet kriminale dhe përdorimin e tij nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Ndërsa policia është bërë më e aftë të përdorë teknika të përparuara të hetimit të krimeve, kapacitetet e mjekësisë ligjore kanë nevojë që të forcohen për të lejuar përdorimin më të shpeshtë si provë të ADN-së. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është tashmë më i aftë për të hetuar korrupsionin e brendshëm. Procesi i bashkëpunimit ndërkufitar po ecën mirë. Bashkëpunimi duhet të forcohet në kufirin ujor. Në lidhje me decentralizimin, megjithëse Qeveria ka hartuar një strategji të rishikuar sektoriale, nuk ekziston asnjë dokument përfundimtar dhe asnjë Plan Veprimi. Një ligj për planifikimin territorial ka përcaktuar autoritetet planifikuese dhe kompetencat e tyre në nivel qendror, rajonal dhe lokal. Nevojiten akte nënligjore për të përcaktuar në mënyrë të hollësishme rolin e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces. Megjithëse si rrjedhim i zbatimit të këtij ligji do të dalë çështja e rikonfigurimit të ndarjes territoriale, projektstrategjia e decentralizimit nuk përmban asnjë orientim për zbatimin e një reforme territorialeadministrative. Decentralizimi i shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve ka vazhduar me transferimin e aseteve të paluajtshme nga qeveria qendrore tek organet e qeverisjes vendore. Sfidat kryesore lidhen me komercializimin e sektorit, i cili mbetet i subvencionuar në një masë të madhe për shkak të borxhit të trashëguar, mbledhjes së ulët të të ardhurave, humbjeve sistematike dhe mosbalancimit struktural. Burimet financiare në dispozicion të qeverisë vendore nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm me zgjerimin e përgjegjësive të tyre duke i bërë ato që të mbështeten gjithmonë e më shumë te grantet e qeverisë qendrore për investime të rëndësishme publike në nivel vendor. Kjo prirje shkon kundër parimit të autonomisë fiskale vendore. Për shembull, ndryshimet e vitit 2010 në ligjin për taksat vendore u kërkonin autoriteteve të rimbursonin bizneset lokale të detyruara për të instaluar kasat e regjistrimit për shpenzimet e bëra, duke përdorur të ardhurat nga taksat vendore. Megjithatë, ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, përcakton se kur qeveria qendrore u kërkon autoriteteve vendore të arrijnë një standard kombëtar, në dispozicion të këtij procesi duhet të vihen fonde të mjaftueshme. Së fundmi, ngërçi politik krijoi përçarje në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Rrjedhimisht nuk ekziston asnjë organ i bashkuar dypalësh për të mbrojtur interesat e përbashkëta të pushtetit vendor. Sa i përket qeverisjes në lidhje me çështjet e mjedisit, zhvillimet pozitive të vëna re vitin e kaluar në lidhje me forcimin e legjislacionit dhe rregulloreve për mjedisin kanë pasur deri tani një ndikim të kufizuar. Projektet madhore në infrastrukturë kanë vazhduar megjithë vlerësimet e dobëta të ndikimit në mjedis dhe konsultime e pakta publike. Dobitë e integrimit të dhënies së lejes mjedisore në sistemin kombëtar të licensimit vazhdojnë të pengohen për shkak të kapaciteteve të kufizuar të organeve rregullatore që kanë për detyrë të garantojnë përmbushjen e detyrime kombëtare dhe ndërkombëtare të planifikimit. Nuk ka ende një fond konkret për një financim të qëndrueshëm të mjedisit dhe Ministria e Mjedisit vazhdon të jetë i vetmi "gardian" i mbrojtjes së mjedisit në vend që ky rol duhet të ndahet me institucione të tjera shtetërore. Ndonëse vihet re një rritje e numrit të kompanive ricikluese dhe e gamës së materialeve që riciklohen, situata e përgjithshme e menaxhimit të mbetjeve të ngurta është përkeqësuar: hedhja e vazhdueshme nga autoritete vendore e mbeturinave, duke përfshirë edhe ujërat e zeza, direkt në rrjedhat ujore ngre shqetësime në lidhje me ndotjen e mjedisit. Në lidhje me median, liria e shprehjes përgjithësisht respektohet. Nuk dihet te ketë ndonjë rast të ndonjë gazetari të çuar në gjykatë nga shteti për shkak të bindjeve të shprehura publikisht. Ajo që po vihet re, është se qeveria është në gjendje të "inkurajojë" disa media më shumë se të tjerat, ose duke u dhënë në mënyrë selektive reklama publike, ose duke përdorur dispozita të veçanta në kontrata qiradhënieje për mjedise shtetërore me media të caktuara, në një përpjekje për të nxjerrë disa dhe/ose për të futur në këto mjedise disa të tjera. Për sa i përket politikave, Komisioni Parlamentar për Integrimin Evropian, miratoi Projektligjin për Transmetimet me Zë dhe/ose me Figurë, duke verifikuar përputhshmërinë e tij me direktivat e BE-së. Ky projektligj ka të meta serioze në lidhje me kompetencat që i jepen organit mbikëqyrës të medias elektronike, si edhe sa i përket përbërjes politike të këtij organi. Kuvendi ra dakord t'ia rikthente këtë projektligj një grupi pune për të trajtuar shqetësimet e ngritura nga Prezenca. Një projektstrategji për kalimin në transmetime dixhitale është ende duke qarkulluar në qeveri dhe në Kuvend, ndërkohë që procesi i konsultimit publik ka mbetur në vend. Dispozitat ligjore në Kodin Penal dhe atë Civil, si edhe ligji për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, kanë nevojë për reformë të mëtejshme. Në lidhje me barazinë gjinore, pozitiv është fakti se është miratuar një strategji kombëtare për barazinë gjinore dhe çrrënjosjen e dhunës në familje dhe së është ngritur një Këshill Kombëtar për Barazinë Gjinore. Megjithatë, ndonëse ligji për barazinë gjinore kërkon emërimin e pikave fokale për barazinë gjinore në nivel qendror dhe vendor, jo të gjitha pikat fokale janë përzgjedhur. Përfaqësimi i grave në pozicione të larta në partitë politike është në shifra modeste, me përjashtim të vetëm disa rasteve. Sa u përket zgjedhjeve, numri i grave të zgjedhura prapë nuk arriti nivelin e pritur, megjithëse ishte vendosur një kuotë gjinore. Kjo tregon se partive kryesore politike u mbetet ende shumë punë për të bërë për të promovuar gratë në politikë. Është gjithashtu e rëndësishme të garantohet që një reformë zgjedhore të përfshijë rishikimin e mëtejshëm të kuotës gjinore, meqenëse një pjesë e gjuhës ekzistuese në Kodin Zgjedhor është e paqartë dhe mund të çojë sërish në një përfaqësim më të ulët se sa ai që pritet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Shoqëria civile ende nuk mund të shihet si një partnere e plotë strategjike në politikëbërje, pasi nuk ka procedura institucionale për dialog. Ndonëse është ngritur një Agjenci kombëtare për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, e cila ka filluar të japë grantet e para për aktivitetet e OJF-ve, më shumë mund të bëhet për ta bërë më transparent procesin e përzgjedhjes së projekteve. Gjithashtu, një ligj i ri për kontrollin financiar duket se i jep qeverisë qendrore me shumë akses tek ato OJF vendase, të cilat punojnë me fonde shtetërore dhe donacione, bazuar në një urdhër të qeverisë pa asnjë kufizim ligjor. OJF-të më aktive janë të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe shumica e tyre ka në përgjithësi struktura të brendshme, anëtarësi dhe kapacitete të dobëta dhe vazhdojnë të mbështeten tek donatorët për fonde. Krerët e shumë OJF-ve vazhdojnë të jenë, ose të paktën perceptohet të jenë politikisht mbështetës të njërës ose tjetrës palë. Një situatë e tillë pengon aftësinë e të gjitha OJF-ve për të të forcuar legjitimitetin e shoqërisë civile në kryerjen e projekteve dhe në daljen me deklarata publike. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se ekziston një shoqëri civile e pavarur dhe me bazë të gjerë. Gjatë vitit të kaluar lindi një lëvizje e quajtur Aleanca Kuq e Zi që bën fushatë kundër ligjit të miratuar së fundmi për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. VEPRIMTARITË KRYESORE Gjatë vitit të kaluar, qëllimi i Prezencës ka qenë promovimi i demokratizimit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, si edhe konsolidimi i institucioneve demokratike, në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së. Prezenca ka vazhduar të punojë në fushat e reformës legjislative dhe gjyqësore, reformës së pronës, reformës zgjedhore, reformës rajonale administrative, rritjes së kapaciteteve parlamentare, luftës kundër trafikimit dhe korrupsionit, zhvillimin e medias, promovimin e qeverisjes së mirë, zhvillimin e shoqërisë civile dhe mbështetjen për policinë. Sa i përket Demokratizimit, në fushën e reformës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u trajnua dhe u mbështet në marrëdhëniet e tij me publikun. Ekspertët zgjedhorë morën pjesë në një seminar të OSBE-së të zhvilluar në Vjenë për votimin elektronik. Ministria e Brendshme u ndihmua në krijimin e regjistrit civil dhe regjistrit të adresave, që shërbyen si bazë për përgatitjen e listave të zgjedhësve. Në kuadrin e mbështetjes për Kuvendin, u instalua një rrjet kompjuterik për bazat e të dhënave, si dhe një intranet. Për forcimin e transparencës, u mundësua edhe transmetimi i drejtpërdrejtë në internet i seancave plenare. Arkiva dhe biblioteka u modernizuan më tej. Stafi mori pjesë në një seminar për komunikimin në Sarajevë dhe në një seminar për të drejtat e njeriut në Vilnius. Stafi i Kuvendit vizitoi Departamentin e Publikimeve në parlamentin portugez dhe u ndihmua me disa rekomandime në lidhje me strategjinë e Kuvendit për marrëdhëniet me publikun. U bë një vlerësim i punës së Kuvendit në lidhje me çështjet e integrimit evropian. U bënë disa takime të komisioneve parlamentare të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe një takim rajonal i grave deputete në Budva. U zhvillua, gjithashtu, edhe një seminar mbi mbikëqyrjen parlamentare në bashkëpunim me misionet e OSBE-së dhe ODHIR-in. Anëtarët e Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare morën pjesë në një konferencë mbi sigurinë në Londër. Në lidhje me shoqërinë civile u zhvillua një konferencë ndërkombëtare për barazinë gjinore dhe një numër i konsiderueshëm forumesh rajonale për të promovuar pjesëmarrjen e grave në politikë. Kandidatet u trajnuan me qëllimin aftësimin e tyre në fushën e avokacisë, të së folurës në publik dhe në media. U prodhuan programe televizive që promovonin pjesëmarrjen e grave në politikë. Një Platformë Kombëtare për Gratë promovoi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje duke përfshirë gra nga partitë politike dhe nga shoqëria civile. U krye një vlerësim mbi forcimin e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore. U zhvilluan disa seminare mbi planifikimin me Këshillin Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe disa anëtarë u dërguan për një vizitë studimore në Londër. U ndërmor hartimi i një strategjie për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës mbi edukimin qytetar. U dha ndihmë për krijimin e një organi vetërregullator për median. U ofrua ekspertizë për hartimin e një strategjie kombëtare për kalimin në transmetime dixhitale dhe për hartimin e një ligji për transmetimet me zë dhe me figurë. Sa i përket Qeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u mbështetën në forcimin e kapaciteteve të tyre. U organizuan seminare për Komitetet Rajonale të Antitrafikimit; u bë një vlerësim i përafrimit të legjislacionit me Konventën e Këshillit të Evropës për Antitrafikimin dhe rastet e dyshuara të trafikimit iu referuan agjencive të specializuara. Iu është ofruar mbështetje qeverisë vendore dhe OJF-ve mbi mekanizmat e planifikimit publik. Zyrtarë të administratës publike u trajnuan lidhur me legjislacionin mbi konfliktin e interesit dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Aseteve iu mundësua një vizitë studimore në Rigë. U zhvillua një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut kundër korrupsionit, ndërsa OJF-të u ndihmuan për të forcuar bashkëpunimin me organet e luftës kundër korrupsionit. Qendrat e Informimit Aarhus u mbështetën në organizimin e veprimtarive për organet shtetërore dhe shoqërinë civile në fushën e çështjeve mjedisore. Në lidhje me Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut, u organizua një sondazh mbi aksesin e publikut në gjykatat e shkallës së parë dhe u krye një vlerësim mbi përmirësimin e llogaridhënies, efikasitetit dhe transparencës në procedurat e çështjeve civile. Prezenca mori pjesë në një grup pune për hartimin e një Kodi të ri të Procedurës Penale. Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi u mbështet në ngritjen e një faqeje interneti dhe në përkthimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në gjuhët e pakicave. Komisioni i Shërbimit Civil u ndihmua për të qenë më i aftë në mbrojtjen e të drejtave të nëpunësve civilë. Stafi i qeverisjes vendore u trajnua mbi zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil. Drejtues dhe punonjës të shërbimit të provës u trajnuan në bazë të një manuali të prodhuar për gjykatës, prokurorë dhe avokatë mbi shërbimin e provës dhe dënimin alternativ. Në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve, u zhvilluan disa seminare për policinë, me qëllim përmirësimin e komunikimit të saj me fëmijët. Punonjës socialë, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe agjencitë e zbatimit të ligjit u trajnuan për rritjen e bashkëpunimit institucional. Sa i përket Bashkëpunimit në Çështjet e Sigurisë, Policia e Shtetit u trajnua në teknikat e hetimit dhe në blerjen e simuluar të narkotikëve. Nga ekspertët e huaj u bë një vlerësim i nevojave në lidhje me menaxhimin e protestave publike. Policia mori pjesë në një seminar rajonal mbi krimin kibernetik në Beograd. Trajnimi mbi procedurat e përbashkëta në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar. Policia e Shtetit u trajnua në lidhje me rolin që duhet të luajë ajo gjatë zgjedhjeve, si dhe në përdorimin e pajisjeve të telekomunikimit. Donacionet për Policinë e Shtetit përfshinë disa pajisje për sallën e saj të kontrollit, për policimin e infiltruar dhe për procesin e rekrutimit të stafit. Ministrisë së Mbrojtjes iu dhanë sharra të reja industriale për prerjen e municioneve. U mundësua instalimi i një linje të re për çmontimin e municionit të tepërt. Ministrisë iu dhanë pajime për të gjitha fabrikat e çmontimit të municionit të tepërt. Mbështetje u dha edhe për depozitimin e lëndëve kimike të rrezikshme. VËSHTRIM DREJT SË ARDHMES Duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël. Nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë do t'u duhet të përmbushin angazhimet e marra. Mesazhi është i thjeshtë: "Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave". Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë - në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!