English

Gjykata e Lartë reagon për vrasjen në Vlorë: Ndjehemi të kërcënuar

Tiranë, 9 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – “Akti i rëndë kriminal i cili i mori jetën sot gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë Skerdilajd Konomi, ka tronditur thellë pushtetin gjyqësor ashtu si dhe mbarë opinion publik shqiptar. Krimi sot guxoi të ngrejë dorën në mënyrën më barbare dhe ekstreme ndaj një gjyqtari të Republikës së Shqipërisë”, ky është qëndrimi zyrtar i gjykatës më të madhe në Shqipëri, Gjykatës së Lartë. Në reagimin mediatik, pas kësaj ngjarje të rëndë, trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë deklaron se marrja e jetës së gjyqtarit Konomi përbën një atentat të rëndë jo vetëm ndaj jetës së një shtetasi, por ai drejtohet kundër pushtetit gjyqësor në tërësi, kundër të gjithë agjensive të zbatimit të ligjit, si dhe kundër të gjithë institucioneve dhe funksionarëve publik të shtetit shqiptar. “Kjo ngjarje e cila fatkeqësisht pason edhe disa të tjera të ndodhura vitet e fundit ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, është një goditje e rëndë dhe kërcënim serioz për shoqërinë shqiptare, rendin publik, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Kur krimi godet drejtësinë ai kërcënon të sfidojë shtetin dhe mbrojtësit e ligjit. Kjo vë në pikëpyetje të madhe aftësinë e autoriteteve shtetërore për të perkrahur dhe garantuar sigurinë e të gjithë atyre që punojnë çdo ditë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër krimit”, thuhet në dëklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit. Duke shprehur hidhërimin dhe ngushëllimet e sinqerta familjes Konomi për humbjen e njeriut të saj të shtrenjtë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë bashkohen me thirrjen e komunitetit të gjyqtarëve dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore dhe ndëshkimin shembullor të autorëve të kësaj ngjarje makabre. “I bëjmë thirrje organeve kompetente shtetërore të marrin masa të menjëherëshme për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre”, përfundojnë deklaratën e tyre gjyqatrët e Gjykatës së Lartë. a.q/NOA

KOMENTE