Vlorë, 9 Shtator 2011 NOA – Në përpjekje për të hedhur dritë mbi atentatin e frikshëm që ndodhi sot në qendër të Vlorës, atje ka mbërritur edhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj si dhe eksperti i antiterrorist, Muhamet Rrumbullaku. Në vendngjarje po ashtu kanë shkuar dhe shumë hetues të tjerë të Policisë dhe Prokurorisë. Burimet policore i thanë agjencisë NOA se ata po bëjnë analiza për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Nga burime të rezervuara, jozyrtare, nga provat dhe faktet e mbledhura deri më tani dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës pasi familjarët kanë mohuar se kanë pas probleme me njeri. Mësohet se kanë filluar të kalojnë në sitë të gjitha dosjet e tij penale dhe civile qe ka shqyrtuar kohët e fundit dhe që ka në shqyrtim. Sakaq ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, së bashku me trupën gjyqësore të Vlorës, pas një takimi me grupin e hetimit, zhvilloi sot pasdite një vizitë ngushëllimi në familjen e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi (ne foto). Në deklaratën e tij për media bërë menjëherë pas këtij takimi ai dënoi krimin dhe e cilësoi vrasjen e gjyqtarit të gjykatës së Rrethit të Vlorës, si një goditje tepër të rëndë për vetë shtetin. “Ngjarja e sotme është një provë për drejtësinë. Dora e krimit sot goditi në zemër shtetin e së drejtës, goditi mu në thelbin e tij ekzistencën e shtetit”, - tha Ministri. “Grupi i hetimit po punon dhe po bën një punë të shkëlqyer me një bashkëpunim të mirë me ekspertët më të mirë të së drejtës, të policisë kriminale, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të cilët po bëjnë një hetim të mirë”. Ai garantoi se, “hetimi do të jetë i shpejtë dhe efikas dhe organizatorët, ideatorët dhe ekzekutorët do të vihen në prangat e ligjit”. Më tej Ministri deklaroi se për zbardhjen e saj do të zhvillohen hetime intensive nga specialistët më të mirë, por edhe nga ekspertë të huaj në se lind nevoja. “Për ngjarjen e sotme do të nisin hetimet nga specialistët më të mirë dhe ekspertë të huaj në se do të jetë e nevojshme nga grupi i hetimit”, tha Ministri i Drejtësisë. “I garantoj edhe familjarët se asnjë proces nuk do të jetë i pafundmë por do të kenë garancinë dhe mbështetjen e plotë të qeverisë që ideatorët, organizatorët dhe ekzekutorët të marrin sa më shpejt përgjigjen e merituar”, - deklaroi me tej Ministri. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi gjatë gjithë ditës zhvilloi takime me krerët e rendit në qytetin e Vlorës menjëherë pas aktin e shëmtuar kriminal që mori jetën e gjyqtarit 33 vjeçar Skerdilajd Konomi. e.t/NOA
RAPORTIMET Familjarët dhe miqtë e gjyqtarit Konomi: Minutat para atentatit Halimi në Vlorë: Atentati do të zbardhet shumë shpejt
Gjykata e Lartë reagon për vrasjen në Vlorë: Ndjehemi të kërcënuar PS dënon vrasjen e gjykatësit: Alarm për qytetarët e Shqipërisë Vrasja e gjyqtarit, krerët e drejtësisë raportojnë te Presidenti Topi, takime urgjente me kreun e SHISH, Prokurorisë e Policisë Vlorë, policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e vrasësit të gjyqtarit VIDEOT Presidenca për masakrën e Vlorës Spahiu flet për atentatin e Vlorës Shpërthim fatal në Vlorë