English

Shqipëria “fiton” Evropianin e të Rriturve më 2014-n

Kandidatura e Tiranës triumfon me 4 vota më tepër ndaj Polonisë në votimin e bordit të peshëngritjes evropiane. Ademi: Kjo është një tjetër “medalje e artë” që merr vendi ynë” Tiranë, 9 Shtator 2011 NOA? Altin Kodra - Shqipëria ka fituar të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur në vitin 2014. Një gjë e tillë është mësuar sot pasdreke pas përfundimit të mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Ky bord ka votuar me 4 vota më tepër në favor të kandidaturës së Shqipërisë kundrejt asaj të Polonisë. Duhet theksuar se është hera e parë që në veprimtari e këtij niveli organizohet në Tiranë, ndërsa para 3 vjetësh është organizuar me sukses në Durrës Evropiani i Peshëngritjes për të Rinj. Tirana do të jetë destinacioni i një tjetër evenimenti madhor sportiv, pasi kryeqyteti shqiptar ka fituar të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur në vitin 2014. Një gjë e tillë është mësuar të premten pasdreke pas përfundimit të mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, i cili ishte i pranishëm në këtë mbledhje, që u mbajt në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, bordi i organizimit që qeveris peshëngritjen kontinentale, ka votuar me 4 vota më tepër në favor të kandidaturës së Shqipërisë kundrejt asaj të Polonisë. I kontaktuar nga AlbanianSport.net nëpërmjet linjës telefonike, Ademi ka sqaruar se kandidatura e Tiranës ka triumfuar ndaj 3 qyteteve të ofruara nga Polonia, duke marrë 10 nga 16 votat e anëtarëve të Bordit Ekzekutiv. Votimi ka qenë i fshehtë dhe është zhvilluar nën vëzhgimin e kreut të peshëngritjes botërore, Tamas Ajan. “Është një moment i një krenarie të veçantë, - ka deklaruar presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.net. - Si për mua personalisht, por besoj që për të gjithë komunitetin e mundjes në veçanti, të sportit në përgjithësi dhe për çdo shqiptar, kjo është një tjetër “medalje e artë” që merr vendi ynë.” Ademi ka vlerësuar se kjo fitore e Shqipërisë tregon se pasi ka treguar në arenën ndërkombëtare se mund të konkurrojë si e barabartë midis të barabartëve në pedanë, duke marrë rregullisht medalje dhe tituj evropianë dhe botërorë, peshëngritja shqiptare tanimë konkurron si e barabartë edhe në aspektin organizativ. “Peshëngritja shqiptare është “lokomotiva” e sportit shqiptar në arenën kontinentale dhe atë botërore dhe tanimë po i tregojmë botës se medaljet që fitojmë në pedanë nuk janë rastësi, por fryt i punës së madhe të një komuniteti të përkushtuar sportiv, të drejtuar me efikasitet nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes”, - ka shtuar Ademi. Në fakt, më datë 22 qershor 2011 patën mbërritur në Tiranë për një inspektim presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Dr. Antonio Urso, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Marino Erkoliano Kasadei, të cilët kanë dhënë vlerësime maksimale për kushtet e ofruara nga Tirana. “Kemi patur një takim me Zëvendësministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportve, i cili ka dhënë mbështetjen e tij të plotë, - pati deklaruar Kasadei pas inspektimit që Federata Evropiane e Peshëngritjes pati bërë në Tiranë. - Po kështu, edhe Presidenti Ademi ka shprehur gatishmërinë e tij personale.” “Unë i uroj Shqipërisë suksese dhe, pas kampionatit të parë, atij të Të Rinjve, të zhvilluar në Durrës në 2008-n, ne mendojmë që Shqipërisë t’i jepet mundësia për organizmin edhe të një tjetër Evropiani”, - përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Marino Erkoliano Kasadei. Dhe tanimë ky vlerësim i drejtuesve të peshëngritjes kontinentale është materializuar, pasi Shqipëria ka mposhtu një kandidaturë të fortë si Polonia, që kryesohej nga Presidenti i Federatës Polake të Peshëngritjes, Vaziela Sigmunt, i cili është njëkohësisht zv/president i Federatës Evropiane dhe asaj Botërore të Peshëngritjes. Në këtë Kampionat Evropian pritet të marrin pjesë shumica dërrmuese e vendeve të Evropës, që do të përfaqësohen nga rreth 250 sportiste dhe rreth 400 persona të tjerë si trajnerë, mjekë dhe personalitete të peshëngritjes, pasi aty ku zhvillohet Evropani zhvillohet edhe Kongresi i Peshëngritjes. Një pjesë e rëndësishme e këtij kampionti do të jetë edhe prania e televizionit sportiv Eurosport në Shqipëri, i cili do të transmetojë 23 orë live çdo ditë Kampionatin Evropian, si dhe do të promovjë vlerat e Shqipërisë gjatë këtij turneu. Çdo Federatë dhe sportist do të financojë praninë e tij në këtë Evropian, sipas udhëzimeve të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, ndërsa baza teknike e kampionatit do të sigurohet nga Federata Italiane e Peshëngritjes. Precedenti / Shqipëria, notë maksimale për Evropianin e Të Rinjve Para 3 vjetësh, Shqipëria mirëpriti Kampionati Evropian të Të Rinjve dhe Të Rejave, që u organizua në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe ku morën pjesë afro 200 sportistë, trajnerë e zyrtarë nga mbi 30 vende të kontinentit. “Sikundër e keni parë, në vitin 2008, Shqipëria e kaloi me nota të shkëlqyera “provimin e parë”, duke organizuar Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Të Reja dhe kjo përvojë e suksesshme na jep shpresë për një organizim po aq të suksesshëm të Evropianit të vitit 2014”, - ka deklaruar Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi. Në fakt, në lidhje me Evropianin e të Rinjve dhe të Rejave, që u organizua në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, drejtuesit e Federatës Evropiane të Peshëngritjes u shprehën me superlativa për nivelin e mikpritjes nga ana e palës shqiptare. Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti i Peshëngritjes Evropiane, Dr. Antonio Urso, dha notën maksimale për organizimin nga Shqipëria të kësaj veprimtarie. a.k/.NOA

KOMENTE