Tiranë, 9 shtator, NOA - Me tonë të ashpra ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit në Vlorë, nënkryetari i Këshillit të Latë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Në një deklaratë dhënë pak minuta më parë, Saphiu u shpreh se vrasja e Skerdilajd Konomit është një akt terrorist ndaj drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare. Ai u shpreh se Konomi ishte një prej juristëve më të mirë. “Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mia dhe ne emër të KLD-së familjes së të ndjerit, Skerdilajd Konomi, gjyqtar i përkushtuar, i martuar, babai i dy fëmijëve 4 dhe 2 vjeç. Ka qenë një nga prurjet e reja më të mira dhe më cilësore të gjeneratës së shkollës së vitit 2004. Dënoj publikisht dhunën ndaj gjyqtarëve, nëpërmjet këtij ekzekutimi terrorist, i cili nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodh në një vend normal”, tha Spahiu. Ai u shpreh se ngjarja është në vazhdën e ngjarjeve kundër njerëzve të drejtësisë. Sipas tij, nëse nuk mbrohen gjyqtarët, nuk mund të mbrohen as qytetarët. “Është akt në vazhdën e atentateve të gjyqësorit, duke përbërë një rast të paprecendetë ndaj drejtësisë që nga koha e Ismail Qemalit. Shqipëria synon të jetë në rrugën e integrimit evropian dhe jo atë të 50 viteve më parë. Një shtet gjyqësore që nuk mund të garantojë jetën e gjyqtarëve, nuk jep garanci për jetën e qytetarëve”, tha ai. Spahiu shtoi se kjo çështje duhet “ të trajtohet me prioritet maksimal nga organet e hetimit”. a.k/NOA