Tiranë, 9 shtator, NOA – Zhvillimet më të fundit politike sjellin në Tiranë dy përfaqësues të lartë të diplomacisë evropiane, siç janë ministrat e Jashtëm të vendeve tona fqinjë, Italisë dhe Greqisë. Fjala është për diplomatin e lartë italian, Franko Fratini dhe atë grek, Stavros Lambrinidis, të cilët siç bëhet me dije nga burime për agjencinë e Lajmeve NOA, do të mbërrijnë ditën e hënë të javës që vjen në kryeqytetin shqiptar.
Kjo pritet të jetë një vizitë e rëndësishme autoritetesh të larta diplomatike në vendin tonë, nisur edhe nga etapa e re politike që sapo ka nisur në vendin tonë, kur opozita ka pohuar se do të jetë e pranishme në parlament dhe se do të bashkëpunojë me mazhorancën në të mirë të kryerjes së reformave në vend.
E duket se Fratini dhe Lambrinidis do të vijnë në Tiranë për t’i dhënë mesazhe dialogu dhe bashkëpunimi palëve politike në Shqipëri, në mënyrë që vendi ynë të marrë sa më shpejt në kohë, një përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian lidhur me statusin e kandidatit për anëtar me të drejta të plota në strukturat evropiane.
n.e/NOA