English

Të bashkuar biem

Nga Gordon Brown Politika doli mbi logjikën ekonomike në Shtetet e Bashkuara këtë verë kur Kongresi dhe presidenti Barack Obama nuk ranë dakord për taksat, benefitet, deficitin apo paketën e stimulimit të investimeve. Udhëheqësit e Europës ishin gjithashtu të paralizuar duke vendosur kundër mospagesës së borxhit e zhvlerësimeve si dhe deficitit dhe paketës stimuluese. Dhe duke qenë se i kanë përdorur të gjitha: përqindjet e ulëta të interesit, emëtimin e parave, përdorimin me tepri të likuiditeteve dhe financimin e bankave tregtare bankierët e bankave të nivelit të parë kudo -më së fundi shefi i Bankës Federale Amerikane, Ben Bernanke- duket se kanë arritur në përfundimin se edhe ata kanë prekur fundin e opsioneve.

Si rezultat, pak njerëz dyshojnë se bota po shkon, e pa timon dhe e pa drejtues, drejt një teposhte të dytë. Debati i paraverës nëse ne ishim përballë një rritjeje ekonomike “normale” apo të pakët është zgjidhur: tani asgjë nuk ngjan normale. Koncepti ‘sa për të kaluar radhë’ ka dështuar. E pazonja për të arritur një pakt për tregtinë globale, ndryshimet klimaterike, rritjen ekonomike, apo ndryshimet në regjimin financiar, bota ka gjasa të zbresë në një proteksionizëm të ri zhvlerësimi konkurrues, luftëra monetare, kufizime tregtare dhe kontrolle të kapitalit.

Por kjo nuk është koha e disfatizmit. Vende që pretendojnë se kanë kapur fundin e asaj që mund të bëjnë duhen kujtuar se kanë kapur limitin e asaj që mund të bëjnë më vete. Mënyra për të mundësuar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe vende të reja pune nuk është përmes një serie nismash kombëtare, por nëpërmjet koordinimit të politikave në shkallë globale.

Ky ishte synimi, në prill të vitit 2009, kur G-20 i vuri vetes tri detyra kritike. E para, duke parandaluar një recesion global, u arrit. Dy të tjerat-një pakt për rritjen ekonomike shoqëruar me një sistem financiar global të reformuar-duhet të jenë detyrat kryesore në agjendën e G-20 që në takimin e radhës.

Në vitin 2010 FMN përllogariti se një qasje e koordinuar makroekonomike, tregtare dhe politikash të strukturuara, mund të kapë një PBB globale 5.5 për qind më të lartë, të krijojë 20-25 milionë vende të reja pune dhe të nxjerrë 90 milionë njerëz nga skamja. Por një pakt global për rritjen ekonomike duket edhe më jetik sot duke parë problemet strukturore të ekonomisë globale dhe imbalancat e mëdha ndërmjet prodhimit dhe konsumit.

Mund të ngjajë e habitshme të përshkruash krizën financiare më të madhe që nga vitet ’30 si simptomë të një problemi më të madh. Por kur historianët hedhin sytë te vala e globalizmit të pas ‘90-ës -e cila ka sjellë 2 milardë prodhues të rinj në ekonominë botërore- ata do të vërejnë një pikë kthese në vitin 2010. Për herë të parë në 150 vjet Perëndimi (Amerika dhe BE) u la pas në fabrika, prodhime mallrash, eksporte, tregti dhe investime nga pjesa tjetër e botës.

Në fakt, nga fillim deri në mes të viteve 2020 tregu konsumator aziatik do të jetë sa dyfishi i atij amerikan. Sot, megjithatë, Perëndimi dhe Azia mbeten të ndërvarur. Dy të tretat e eksporteve aziatike ende shkojnë në Perëndim dhe tregtia jug-jug përbën vetëm 20 për qind të të ardhurave botërore.

Thënë ndryshe, 10 vjet më parë motori amerikan mund të ngiste ekonominë botërore dhe 10 vjet më vonë vendet në zhvillim do ta marrin në dorë këtë rol, sidomos po të kesh parasysh fuqinë blerëse në rritje të shtresës së mesme të tyre. Por, për tani Amerika dhe Europa nuk mund t’i zgjerojnë shpenzimet e tyre konsumatore pa rritur eksportet, ndërsa Kina dhe vendet në zhvillim nuk mund ta zgjerojnë lehtësisht prodhimin apo konsumin e tyre pa garancitë e tregjeve të forta perëndimore.

Kështu në fillim ne duhet të rikthejmë vizionin e gjerë të bashkëpunimit global të arritur në paktin e rritjes ekonomike të G-20. Por është nevoja e një axhende më të thellë e më të gjerë: Kina duhet të jetë dakord për të rritur shpenzimet shtëpiake dhe importet konsumatore; India duhet t’i hapë tregjet e saj që të varfrit të përfitojnë nga importet me kosto të ulët; dhe Europa e Amerika duhet t’i japin shtysa konkurrencës, në mënyrë që të rrisin eksportet.

G-20 ishte gjithashtu e papërkulur në vitin 2009 për atë se stabiliteti i së ardhmes kërkon një regjim të ri financiar global. David Miles i Bankës së Anglisë parashikon tri kriza të tjera financiare në dy dekadat e ardhshme. Dhe nëse Andrew Haldane, po i Bankës së Anglisë, ka të drejtë në atë se trysnitë në rritje në Azi janë kërcënim për kriza të tjera, Perëndimi do të ndiejë keqardhje për dështimin e tij për të vendosur një rezervë kapitalesh globale dhe standarde të likuiditetit si dhe një sistem paralajmërues transparent.

Problemi është ndërkohë i qartë. Rreziqet e sektorit bankar europian janë pothuajse pesë herë më të mëdha se në Amerikë. Bankat gjermane kanë huazuar 32 herë më shumë sesa kanë asete. Kështu që jo vetëm rikapitalizimi i bankave është thelbësor për stabilitetin financiar, por e tillë është edhe një euro e reformuar, e ndërtuar mbi koordinim fiskal e monetar dhe një rol i shtuar i Bankës Qendrore Europiane në mbështetjen e qeverive individuale (jo bankave individuale) si huadhënës i gradës së fundit.

G20 nuk do të arrijë rritje dhe stabilitet pa një fokus të rinovuar mbi reduktimin e borxhit në terma afatgjatë. Por, gjithashtu, ka edhe një imperativ afatshkurtër për të shmangur rënien ciklike. Na duhet të mësojmë nga propozimet e Robert Skidelsky-t për të pajisur infrastrukturën tonë -gjithashtu mjedisin- për sfida të ardhme dhe për të stimuluar rritjen dhe krijimin e vendeve të punës. Një model është banka Europiane e Investimeve, e cila me 50 miliardë euro në kapital ka qenë në gjendje të investojë 400 miliardë euro. Por ndoshta mund të arrihet një marrëveshje edhe me kinezët, për të investuar rezervat e tyre apo dhe me shumëkombëshe perëndimore, për taksimin e përfitimeve të “riatdhesuara”.

Më në fund siç ekonomisti Michael Spence, fitues i çmimit ‘Nobel’ ka dëshmuar, rritja është tani një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për hapjen e vendeve të punës. Epidemia e sotme e papunësisë së të rinjve kërkon qasje të reja-një bankë zhvillimi, për shembull, për të ndihmuar popullatën e re në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe për programe trajnimi.

*Ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

KOMENTE