Manastir, 10 shtator 2011, NOA - Me urdhër të autoriteteve komunale në Manastir, drejtoria e shkollës fillore “Goce Dellçev” nuk lejon që të rritet numri i klasave që mësojnë në gjuhën shqipe. Në këtë shkollë, nuk lejohet që klasa e gjashtë që numëron mbi 38 nxënës të ndahet në dy klasa. Nxënësit dhe prindërit kanë apeluar që nxënësit të shpërndahen në dy klasa, në vend të një klase të stërgarkuar me nxënës dhe ku nuk ka hapësirë dhe kushte për vazhdimin e procesit mësimor. Mirëpo, drejtori i kësaj shkolle ka urdhëruar që të mos zgjerohet numri i klasave me mësim në gjuhën shqipe, me arsyetimin se nuk ka kushte në shkollë dhe se shkolla nuk mund të paguajë orët shtesë të mësimdhënësve shqiptarë. Arsyetimi për moszgjerimin e klasave siç mëson korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA ka mbërritur edhe nga ana e sektorit për arsimin pranë komunës së Manastirit, ku gjithashtu refuzohet plotësimi i kushteve dhe shndërrimi i një klase në dy klasa me mësim në gjuhën shqipe. “Ky është një diskriminim i hapur dhe se apelojmë që kjo çështje të alarmohet edhe në Shkup, tek politika, sepse këto lojëra po bëhen nga njerëz që thirren në partinë maqedonase në pushtet dhe luajnë me fatin e fëmijëve tanë. Jemi të shqetësuar se si na thuhet arsyetimi se nuk ka kushte dhe nuk do të paguhen mësimdhënësit në rast se shtohet fondi i orëve. A jemi ne taksapagues të këtij shteti dhe a e meritojmë barazinë dhe trajtimin e njëjtë si gjithë qytetarët, sidomos ata maqedonas këtu në Manastir”, theksoi një prind shqiptar për agjencinë INA. Por, edhe pas pajtimit mes prindërve dhe mësimdhënësve që të formohen dy klasë dhe të mos paguhet fondi shtesë i orëve të mësimdhënësve shqiptarë, kundër këtij vendimi të dytë alternativ sërish ka dalë sektori për arsim i komunës, ku është bërë me dije se nuk do të lejohet edhe ky variant i procesit arsimor. Pranë këshillit të prindërve shqiptarë theksohet se me formimin e dy klasave do të rritet numri i klasave me mësim në gjuhën shqipe dhe disave në gjuhën turke, edhe atë në 16 klasë dhe kjo do të rriste numrin e klasave me mësim në gjuhën shqipe. Historia e arsimit fillor në Manastir është një problematikë e trashëguar. Deri në vitin 1980 në këtë qytet ka funksionuar shkolla fillore “Nikolla Tesla” me mësim në gjuhën shqipe dhe atë turke, por edhe me drejtori shqiptare, mirëpo me urdhër të aparatit shtetëror të asaj periudhe, kjo shkollë iu bashkëngjit shkollës aktuale “Goce Dellçev”, e cila dominohet nga nxënës maqedonas. Prej atij viti në shkollën fillore “Goce Dellçev” ka funksionuar për çdo vit shkollor vetëm nga një klasë me mësim në gjuhën shqipe, por të gjitha klasat me numër të madh të nxënësve prej 40-50 nxënës, varësisht nga periudhat kohore. Vetëm disa vite më parë u lejua që të formohen nga dy klasë, mirëpo ato vetëm në ciklin e ulët katërvjeçar. Shoqatat qytetare të shqiptarëve dhe iniciativat e prindërve kërkojnë që shkolla me mësim në gjuhën shqipe të fitojë autonominë dhe pavarësinë e saj që e kishte deri në vitin 1980, për shkak të zgjerimit të nevojave dhe kushteve për nxënësit shqiptarë. Probleme të tjera shqetësuese janë edhe lëndët e ndryshme në këtë shkollë që zhvillohen akoma nga mësimdhënës maqedonas dhe nuk hapen konkurse për mësimdhënës shqiptarë. Prindërit shqiptarë po shqyrtojnë mundësinë që këto ditë të ngrenë zërin për të drejtat e tyre dhe të fëmijëve, në ë kundërt ata paralajmërojnë bojkotimin e procesit mësimor. Nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle në disa raste kanë protestuar për mungesën e kushteve arsimore për shkak se shkolla nuk plotëson kushtet dhe është një objekt i vjetër arkitektonik i ndërtuar në shekullin e 19-të. INA/NOA