Kajro, 10 shtator 2011, NOA – Natën e të premtes qindra protestues egjiptianë kanë mësyrë ambasadën e Izraelit në Kajro, duke pushtuar mjediset e saj dhe duke hedhur jashtë nga dritaret dokumentet diplomatike e djegur flamurin hebre. Rreth 2 mijë demonstrues hodhën bomba molotov ndaj dy makinave të policisë egjiptiane dhe hapën zjarr nëpër rrugë përpara ambasadës, ndërsa nisën të hidhnin jashtë çdo dokument që u shfaqej. Protestuesit e revoltuar nga vendimet më të fundit shtrënguan edhe ambasadorin izraelit të largohej nga Egjipti. Vetëm pak momente pas mësymjes, kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu thirri për ndihmë presidentin amerikan Barack Obama, ndërkohë që ftoi Egjiptin të garantojë sigurinë e përfaqësisë diplomatike. Ai i shprehu presidentit amerikan në një bisedë telefonike shqetësimin e tij të thellë për situatën e rëndë ku gjendet ambasada e Izraelit në Kajro. Pas sulmit në ambasadën izraelite ka reaguar edhe ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak, i cili gjatë bisedave telefonike me shefin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe të dërguarin e presidentit Obama, Dennis Ross, i kërkoi ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur ambasadën. Pas këtij apeli ka mbërritur edhe përgjigjia e autoriteteve egjiptiane, kur ministri i Brendshëm i Egjiptit deklaroi gjendjen e emergjencës në vend duke dërguar dhjetëra automjete të blinduara në ambasadën e Izraelit, ku pati edhe përleshje mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve. Edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë apeloi që Egjipti të garantojë sigurinë e përfaqësisë diplomatike të Izraelit. Sipas televizionit shtetëror egjiptian Al Arabiya, ambasadori izraelit në Kajro u largua drejt aeroportit bashkë me familjarët e tij dhe anëtarë të stafit të ambasadës, ndërsa një avion mbërriti nga Izraeli në mesnatë enkas për t’i kthyer në atdhe. Dëshmitarë nga vendngjarja bënë me dije se dokumentet që hidheshin jashtë nga dritaret e ambasadës ishin të shkruara në arabisht, por me vulat e ambasadës izraelite. Shkak i kësaj revolte u bë një vendim i autoriteteve lokale për të shtuar forcat mbrojtëse të ambasadës së Izraelit, e cila u kthye në objekt të përplasjes së protestuesve egjiptianë pas vrasjes së pesë rojeve të kufirit egjiptian që pasuan atentatin me bombë në dy autobusë në zonën turistike të Eilatit. Demonstruesit thanë se Egjipti duhej të ndiqte shembullin e Turqisë dhe kryeministrit të saj Rexhep Taib Erdogan, i cili e përzuri ambasadorin izraelit dhe tërhoqi edhe përfaqësuesin turk nga Tel Avivi në shenjë proteste për mungesën e ndjesës nga Izraeli ndaj sulmit të vitit të shkuar. Mëngjesin e sotëm vendi ku ndodhet ambasada e izraelit në egjipt ishte kthyer në një fushë beteje. mit/NOA
Në foto: Protestuesit egjiptianë duke djegur flamurin e Izraelit