Prishtinë, 10 shtator 2011, NOA - Modeli më i ri për një zgjidhje afatgjatë në Kosovë është “Ahtisaari Plus”, ka deklaruar shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, duke propozuar madje që pjesa veriore e Kosovës të marrë një status autonomie të ngjashëm me atë që ka Katalonia në Spanjë.
“Në Spanjë keni Katalonian për shembull – ajo është pjesë e Spanjës, por janë shumë autonomë”, ka thënë Feith në një deklarim për EUobserver.com, i cituar nga gazeta Koha Ditore në Kosovë.
Feith thuhet të ketë refuzuar të japë më shumë detaje rreth asaj se sa shumë përtej modelit të Ahtisaarit janë të vullnetshme të shkojnë sponsoruesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.
Sipas EUobserver.com, Feith citohet të ketë thënë se situata e re e krijuar në veri dhe vrasja e policit kosovar, Enver Zymberi, atje, mund të shfrytëzohen edhe si rast për ndryshime.
“Ajo ishte shkundje e drurit, dhe ndoshta diçka e mirë mund të dalë prej saj”, tha Feith, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Prishtinës për të dërguar njësitet speciale të policisë në veri, më 25 korrik.
“Nuk ka fort gjasa që t’i kthehemi situatës që ishte më parë. Diçka ka ndryshuar përgjithmonë”, tha ai.
Feith më tutje lavdëroi shqiptarët e Kosovës për përmbajtjen e treguar dhe këshilloi Prishtinën që të bëjë më tepër për të fituar besimin e serbëve të Kosovës.
Ai i bëri thirrje edhe EULEX-it që “të ngrejë aktivitetet në veri… Kemi nevojë të shohim arrestime – njerëz që vërtet hiqen nga rrugët dhe arrestohen”.
Por, ai shtoi se Serbia, që aspiron anëtarësimin në BE, duhet të luajë rolin më të madh, duke e përdorur ndikimin e saj masiv në veri të Kosovës për të bërë paqe.
“Nuk mund ta tolerojmë një kandidat të ri për anëtarësim në BE që të sjellë me vete një konflikt të ngrirë… nuk mund t’i keni të dyja – statusin e kandidatit që ecën lehtë përpara dhe në të njëjtën kohë të mbani për fyti veriun e Kosovës. Kjo ndjenjë tani ndahet nga një numër shtetesh të BE-së”, tha Feith.
Duke folur për situatën rajonale, Feith theksoi se serbët në Bosnjë dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi po shikojnë se çka do të ndodhë në Kosovë në rast se kjo mund të ketë implikime për integritetin territorial të vendeve ku ata jetojnë.
“Kjo është kohë vendimtare jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin… Ata e shohin këtë si faza finale e një drame të gjatë që është luajtur për shumë vite dhe që mund të sjellë stabilitet afatgjatë nëse trajtohet si duhet. BE-ja ka përgjegjësi të madhe në këtë pikë”.
Koha Ditore/NOA