English

Hetimet paraprake, ja pistat e mundshme të vrasjes së gjyqtarit

Vlorë, 10 shtator 2011, NOA – Ngjarja tragjike që tronditi dje jo vëtëm Vlorën por të gjithë opinionin publik shqiptar është përfshirë nga nota misteri. Menjëherë pas shpërthimit në automjetin ku udhëtonte Skerdilajd Konomi, policia dhe prokuroria nisën hetimet, ndërsa në qytetin bregdetar u mblodhën drejtuesit më të lartë të drejtësisë shqiptare. Fillimisht, ekspertët xheniere, kanë përcaktuar llojin e eksplozivit, që ishte vendosur në makinën tip "Benz" të gjykatësit. Sipas grupit hetimor, automjeti ka shpërthyer nga një sasi tritoli prej 200-300 gramësh, të vendosur poshtë sediljes së shoferit dhe të komanduar me telefon celular.

Hetimi Nga ana tjetër tre janë pistat ku është përqëndruar hetimi. Dyshimet janë hedhur në një atentat të mundshëm për shkak të detyrës dhe për këtë, grupi hetimor ka kërkuar nga Gjykata e Vlorës dosjet që Konomi ka gjykuar në 6 mujorin e fundit. Pista e dytë, është ajo e çështjes së pronësisë, pasi gjyqtari ishte përfshirë në një akt gjyqësor për 40 ha tokë në Gjirin e Lalzit në Durrës. Pista e fundit sipas ekspertëve të grupit hetimor mund të jetë konflikti personal, pavarësisht dëshmive pozitive nga persona të afërm të tij. Mbrëmë ministri i Drejtësisë, Halimi ka thënë se janë vënë në punë të gjithë instancat për zbardhjen e vrasjes.

Krimi Hetuesit kanë marrë në pyetje dhe dhjetëra dëshmitarë, të cilët panë më sytë e tyre shpërthimin tragjik. Sipas të dhënave paraprake, krimi ka qenë i organizuar dhe i planifikuar më parë, pasi atentatorët e kanë detyruar gjyqtarin në mënyrë indirekte të niset për në punë, jo me automjetin e tij luksoz, që e kishte blerë vetëm pak kohë më parë, por me makinën e familjes, ku sipas ekspertëve ka lehtësi manipulimi apo ndërhyrje. Sipas dëshmive të familjarëve, të cituar nga media, Konomi e ka gjetur automjetin personal me goma të shpuara, duke u detyruar të marrë makinën e bashkëshortes. Dje pasdite, pak orë pas ngjarjes, policia vuri në dispozicion një shumë prej 100 mijë eurosh për identifikimin e atentatorëve të vrasjes së gjyqtarit, baba i dy fëmijëve të mitur. a.q/NOA

KOMENTE
  • Arben Presheva01:20 - 11 Shtator 2011
    Te gjindet vraresi ose vraresit dhe te mbahet qendrim i repte se kemi besim nga drejtesia e halimit qe po ve qeveria 100 mije evro per ate qe denancon vraresin......po kur u vra deputeti Fatmir Xhindi pse nuk u be kaq buje ....apo e ka mare ne dore halim trimi dhe do ti nxjere uje te zi....mjer ati qe i ha bytha shur pa e dime se cfare drejtesi kemi keto 20 vjet ne gjoja demokraci Sidoqofte pune te mbare me kete rast mund te kapni dhe vraresin e XHINDIT TUNG
  • Jona Vlore16:45 - 10 Shtator 2011
    Kemi frike te dalim nga shtepia shteti te marri masa x te te tilla akte kriminale.Kriminelet duhet te jene ne burg ,jo te jene te lire xhiro vlore - skele.
  • Endri IT16:41 - 10 Shtator 2011
    Denim me vdekje autoreve te vrasjes!Ngushellime familjes se tij