English

Në prag të përkujtimit të 11 shtatorit, në SHBA mbërrin një i dyshuar

Nju Jork, 10 shtator 2011, NOA – Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në vigjilje të ceremonive për përkujtimin e 10 vjetorit të shpërthimeve terroriste që tronditën Amerikën dhe botën mbarë në 11 shtatorin e vitit 2001, një nga personat e dyshuar si autorë i sulmeve të reja terroriste dyshohet se ka mbërritur në SHBA. Shërbimet inteligjente amerikane bëjnë me dije se ai i përket një celule të organizatës terroriste të Al Kaidës, e cila është përgatitur për të sulmuar rishtas Amerikën. Burime nga shërbimet inteligjente amerikane thanë për CNN se dy persona të tjerë të dyshuar për pjesëmarrjen në sulmet e reja që kërcënojnë SHBA-të nuk dihet ende ku ndodhen. Sipas të njëjtave burime, tre të dyshuarit, dhe jo një siç ishte bërë me dije më parë janë me nënshtetësi amerikane. Nesër Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkujtojnë masakrën terroriste të 11 shtatorit që goditi superfuqinë e botës duke lënë të vdekur tragjikisht nën rrënojat e dy kullave binjake mijëra amerikanë, në vendin që sot quhet “Ground Zero”. Sipas shërbimeve sekrete në 10-vjetorin e sulmit terrorist që ndryshoi edhe kursin e luftës ndaj terrorizmit në botë SHBA kërcënohet nga sulme të reja terroriste, për të cilat është shtuar edhe siguria në vend dhe janë përforcuar forcat e policisë në Nju Jork dhe Uashington, dy epiqendrat e mundshme të sulmeve. mit/NOA

KOMENTE