Ndërsa po afron 10-vjetori i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2011, zyrtarët e sigurisë në Nju Jork dhe Uashington i ka mbërthyer ankthi.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare thotë se ekziston një kërcënim i veçantë, i besueshëm, por i pakonfirmuar për sulme terroriste më 11 shtator – pikërisht në datën kur para 10 vjetësh Al Kaida rrëzoi kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë dhe dëmtoi Pentagonin.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi gjithashtu se presidenti Barak Obama ka urdhëruar përpjekje më të mëdha anti-terroriste, citon RFE.
Kryetari i Nju Jorkut, Majkëll Bllumberg, tha se Departamenti i Policisë në Nju Jork do të pozicionojë masa shtesë, “disa prej të cilave do të vihen re, ndërsa disa të tjera jo”.
“Derisa po i afrohemi 10-vjetorit të 11 Shtatorit, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, FBI dhe i gjithë komuniteti i inteligjencës janë në gatishmëri të rritur, sepse e dimë që terroristët e shohin përvjetorin si mundësi për të sulmuar sërish. Kërcënimi nuk është konfirmuar, unë dua ta theksoj këtë. Ai është i besueshëm, por nuk është konfirmuar”, tha Bllumberg.
Ndonëse nuk ka pasur ndonjë ndryshim sa i përket nivelit zyrtar të kërcënimit të sigurisë kombëtare, autoritetet thonë se janë duke shqyrtuar një veprim të tillë.
Autoritetet në Nju Jork tashmë kanë vënë masa shtesë të sigurisë. Komisionari i policisë së qytetit, Rejmond Kelli, tha se të tillat përfshijnë “policët e trajnuar për armë të rënda, të pozicionuar jashtë Menhatenit”.
Zyrtarët federalë në Uashington thonë se kërcënimet për sulme terroriste përfshijnë mundësinë e përdorimit të makinave bomba kundër objektivave në Uashington ose Nju Jork.
Më herët, bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë ngritur nivelet e tyre të sigurisë, por zyrtarët nuk kanë thënë nëse kjo ka të bëjë me raportet e reja për kërcënim.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë paralajmëruar për një reagim të mundshëm pas sulmit të komandove amerikane në muajin maj, që vrau kreun e Al Kaidës, Osama bin Laden, në kompleksin e tij në Abotabad të Pakistanit.
Bazuar në dokumentet dhe dosjet e konfiskuara në kompleksin e ish-kryeterroristit, rrjeti i Al Kaidës ka shqyrtuar sulme të mundshme në Shtetet e Bashkuara, që do të përkonin me 10-vjetorin e 11 Shtatorit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka shfrytëzuar afrimin e 10-vjetorit të sulmeve fatale, për të përsëritur thirrjet për një marrëveshje globale kundër terrorizmit.
Kombet e Bashkuara kanë mbi 10 traktate të ndarë për terrorizmin – përfshirë atë për bombardimet, rrëmbimet, përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe financimin e terrorizmit. Por, gjatë 10 vjetëve të kaluar, negociatat për një konventë gjithëpërfshirëse kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme, me argumentet mbi atë se çfarë e përbën terrorizmin dhe kush është terrorist.
Ban, duke folur gjatë vizitës në Australi, tha se dështimi për të arritur marrëveshjen për një traktat global, është për keqardhje. Sipas tij, “terrorizmi nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”.
Pavarësisht kërcënimeve të shpeshta dhe një varg komplotesh të dështuara, Al Kaida nuk ka pasur suksese në sulmimin e tokës amerikane prej vitit 2001, kur ka rrëmbyer aeroplanët e pasagjerëve dhe i ka përplasur për Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, në Pentagon dhe në Pensilvani, duke vrarë afro 3,000 njerëz.
FOTOGALERI - Minuta të frikshme 9/11
VIDEO: Dalin pamjet të reja të papara nga 9/11
VIDEO: NASA kujton 9/11