English

Sekuestrohen 20 kg marijuanë, kapet trafikanti

Gjirokastër, 10 shtator 2011, NOA – Blutë e Gjirokastrës kanë sekuestruar 20 kg marijuanë dhe kanë arrestuar 21-vjeçarin që transportonte ngarkesën e drogës e destinuar për tregun e Tiranës. Operacioni i policisë së Gjirokastrës u finalizua rreth orës 21.00 të së premtes kur gjatë tij u kap 21-vjeçari Vilson Rrushi, i lindur në Librazhd dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për vjedhje. Sipas policisë operacioni kishte nisur disa ditë më parë nga oficerët e antitrafikut të drogës, por nuk ishte publikuar për arsye hetimi. Vilson Rrushi gjatë orëve të mbrëmjes po transportonte me një automjet tip Ford Escord pa targa, një çantë të madhe shpine të mbushur me pako në formë të rrumbullakët të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë. Ky shtetas e kishte blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat dhe do ta transportonte në drejtim të Tiranës. Blutë e Gjirokastrës e ndoqën Rrushin ndërsa ai ishte duke udhëtuar në rrugën nacionale, poshtë fshatit Lazarat në drejtim të Gjirokastrës. Në momentin kur policia bllokoi rrugën Vilson Rrushi ndërroi rrugë duke u futur në një rrugë qorre në vendin e quajtur N.SH.N, në hyrje të qytetit Gjirokastër dhe pasi çau gomën e automjetit të tij, e braktisi atë dhe duke përfituar nga errësira u largua me shpejtësi duke i shpëtuar ndjekjes së forcave të Policisë. Nga kqyrja e automjetit u konstatua një çantë e madhe shpine, ku brenda saj kishte 17 pako të mbështjella me letër natriban me gjithsej 20 kilogramë marijuanë. Pas largimit të tij, policia u vu në ndjekje të trafikantit Vilson Rrushi duke e prangosur atë në një nga rrugicat e qytetit të Gjirokastrës. 21-vjeçari Vilson Rrushi është nën akuzë për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. mit/NOA

Foto nga operacioni i policisë dhe droga e sekuestruar

KOMENTE