English

Shqipëri - Kosovë firmoset marrëveshja e parë ndërkufitare

Prizren, 10 shtator 2011, NOA - Ministrja e integrimit të Shqipërisë, Majlinda Bregu dhe homologia e saj kosovare, Vlora Çitaku, kanë nënshkruar së bashku në Prizren, marrëveshjen e parë financiare, në kuadër të programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar midis Kosovës dhe Shqipërisë, pjesë e Komponentit të dytë të Instrumentit të Para-Anëtarësimit të Komisionit Evropian, e cila ka të bëjë me Bashkëpunimin Ndërkufitar mes vendeve të rajonit. Ministrja Bregu vlerësoi vullnetin e dëshmuar nga qeveria dhe sakrificat e të gjithë kosovarëve për të ndërtuar shtetin e ri, dhe shprehu besimin se proceset e integrimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, drejt BE-së, do të ecin përpara në bazë të meritave dhe se të dyja vendet do të jenë anëtare të BE-së në një të ardhme të afërt. “Ky bashkëpunimi kufitar, një nga elementet më thelbësore ka bashkëpunimin ndërmjet kombeve, shkëmbimin e kulturave dhe eksperiencave mes kufijve. Shqiptarët kanë treguar se janë një komb me kulturë perëndimore, të hapur ndaj dialogut dhe që respektojnë kulturat e tjera në rajon. Bashkëpunimi ndërkufitar dhe projektet ndërkufitare do të ndihmojnë në përforcimin e këtij dialogu, në promovimin dhe zhvillimin e dy vendeve”, tha Bregu. Në fjalën e saj ministrja kosovare e integrimit, Vlora Çitaku tha se, ngjarja e sotme është e një rëndësie të veçantë. “Ky moment është një dëshmi e radhës që Kosova tashmë i është bashkuar trendit Ballkanik të integrimit Europian, si një partner i denjë dhe i barabartë”, tha ministria kosovare. a.q/NOA

KOMENTE