English

Amerika përkujton tmerrin që ndryshoi botën, çifti Obama mbërrin në Pensilvani

Uashington, 11 shtator 2011, NOA – Pas ceremonisë përkujtimore të mbajtur në Ground Zero në kujtim të afro tre mijë viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 pas shpërthimit të dy qiellgërvishtësve binjakë të Qendrës Tregtare Botërore, çifti presidencial amerikan mbërriti në Shanksville, në Pensilvani për të nderuar heronjtë e avionit amerikan 93. Presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, u pritën nga dhjetëra prindër të viktimave të 11 shtatorit që ishin tubuar për ceremoninë, me ovacione e thirrje kushtuar Amerikës. Çifti i parë i SHBA-ve vendosi një kurorë me lule të bardha pranë memorialit të inauguruar një ditë më parë në Pensilvani për dhjetëvjetorin e tragjedisë. Më pas presidenti amerikan dhe gruaja e tij mbajtën një minutë heshtje për heronjtë në Pensilvani. Mandej çifti presidencial i Amerikës shtrëngoi duart dhe u përqafuan fort me turmën e prindërve të atyre që mbetën të vrarë dhjetë vite më parë pas rënies së një prej katër avionëve të Al Kaidës që terrorizuan SHBA-të në një ditë të vetme. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pensilvani manifestuesit brohoritnin dhe thërritnin “SHBA, SHBA” duke valëvitur lart flamurin amerikan, ndërsa Presidenti me të shoqen Michelle ecnin përbri njëri-tjetrit mes turmës. Më herët në ceremoninë qendrore të mbajtur në Nju Jork në Ground Zero u lexuan emrat e afro tre mijë viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit si dhe u mbajtën tri minuta heshtje. Gjithçka në këtë përvjetor të dhjetë të tragjedisë që tronditi dhe ndryshoi historinë e Amerikës, por edhe kursin e botës në luftën kundër terrorizmit sheshi ku dikur ngriheshin shtatlarta dy kullat binjake të Nju Jorkut ishte mbështjellë nga një atmosferë gati gati sureale, me mijëra e mijëra njerëz të mbledhur për të dëgjuar momentin e parë kur u i godit kulla e parë e Qendrës Tregtare Botërore në orën 8.46 minuta të 11 shtatorit të vitit 2001, me orën lokale të Nju Jorkut. Amerikanët mbajtën frymën pezull për të përkujtuar momentet e tmerrshme të atij 11 shtatori, dhe afro tre mijë viktimat që ai la pas bashkë me tragjedinë që nuk do të harrohet kurrë. mit/NOA

Në foto: Duart e çiftit presidencial Obama në memorialin e viktimave të 11 shtatorit

KOMENTE