English

Anketa: 1 në 10 persona po vuajnë nga depresioni

Tiranë, 11 Shtator 2011 NOA/ Arlinda Koçi - Pothuajse 1 në 10 amerikanë vuajnë nga depresioni klinik ndërkohë që 3 për qind vuajnë nga depresioni i mirëfilltë, sipas një studimi të 235 mijë të rriturve në 45 qytete të Amerikës, publikon Qendra studimore Centers for Disease Control and Prevention. Ky raport është i ngjashëm me atë që publikon në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik i cili ka evidentuar pak javë më parë se në vendin tonë, një në dhjetë persona vuan nga luhatje të shëndetit mendor. Një tjetër informacion i publikuar nga Centers for Disease Control and Prevention, tregoi se një studim i ngjashëm i kryer në vitin 2001-2002 kishte raportuar se 6.6 për qind e popullsisë vuante nga depresioni, një diferencë prej 2.4 për qind. Pjesëmarrësit e përfshirë në anketë, iu përgjigjën disa pyetjeve në lidhje me sjelljet dhe karakteristikat e jetesës që njohin lidhur me depresionin. Anketa përfshinte pyetje në lidhje me vetë-respektin, humbjen e oreksit, problemet me gjumin dhe aftësinë e të përqendruarit. Në të gjithë vendin u vunë re norma të ndryshme të depresionit. Për shembull, Mississippi kishte shkallën më të lartë të depresionit, me 15 për qind, ndërsa Dakota e Veriut kishte shkallën më të ulët, rreth 5 për qind. Papunësia, u vu re nga anketa se ishte arsyeja që lidhej më së shumti me shfaqjen e depresionit, por nuk u kuptua qartë nëse depresioni shkakton humbjen e punës apo humbja e punës shkakton depresionin. Kushtet shëndetësore kronike, të tilla si obeziteti, sëmundje të zemrës, problemet me gjumin, u vlerësuan gjithashtu si arsyet kryesore të lindjes së depresionit në këto zona. “Përveç kësaj, dallimet në statusin social-ekonomik, prania e kushteve të tjera të shëndetit mendor dhe trajtimi i duhur, konsiderohen arsye kryesore të shfaqjes së depresionit.” – u shpreh ekspertja e studimit, McKnight-Eily. a.k/e.t/NOA

KOMENTE