Tiranë, 11 shtator 2011, NOA- Me rastin e dhjetë vjetorit të tragjedisë së 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh homologut të tij në New York, Michael Bloomberg. Në mesazh Basha thekson se pavarësisht sulmeve, qytetarët e New York dhe populli amerikan nuk u gjunjëzuan. Sipas Bashës, 10 vite pas tragjedisë qytetarët, New Yorku dhe gjithë Amerika është më e fortë se vite më parë.
Mesazhi i plotë i Kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha:
I nderuar Kryetar i Bashkisë së New York z.Michael Bloomberg 10 vjet më parë, e gjithë bota u trondit nga sulmi terrorist në qytetin tuaj. Qytetarët e Tiranës u solidarizuan dhe u bashkuan me dhimbjen e kombit tuaj, si dhe të familjarëve të 3 mijë viktimave. Ne e dimë se ai ishte një sulm ndaj gjithçka që New York përfaqëson, si simbol i sipërmarrjes, kulturës dhe suksesit të lirisë amerikane. Jemi gjithashtu dëshmitarë se pavarësisht dëmit të shkaktuar, sulmi i 11 shtatorit nuk i gjunjëzoi aspak vlerat që ju prezantoni, vlera të cilat janë një model frymëzimi për qytetarët dhe Bashkinë e Tiranës. Sot, 10 vjet pas 11 shtatorit, jam i bindur se Ju, qytetarët e New York dhe populli amerikan jeni më të fortë dhe keni më shumë miq se më parë. Në emër të qytetarëve të Tiranës, bashkohem me ju në përkujtimin dhe nderimin e viktimave të 11 shtatorit dhe në shprehjen e solidaritetit me familjarët e tyre. Njëkohësisht shpreh bindjen se ky 10 vjetor e gjen qytetin tuaj të mrekullueshëm dhe qytetarët e New York, më të vendosur se kurrë në afirmimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e qyteti tuaj, vlera që përbëjnë një frymëzim të kahershëm dhe konstant për Tiranën dhe qytetarët e saj. a.y/NOA
Në foto: Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha