Tiranë, 11 shtator 2011, NOA- Ditën e nesërme fillon viti i ri shkollor, ku rreth 36 mijë nxënës do të ulen për herë të parë bankat e shkollës, për të nisur rrugëtimin e gjatë të dijes. Lidhur me këtë rast, Bashkia e Tiranës ka marrë masa për sigurinë e shkollave në kryeqytet. Burime zyrtare nga Bashkia bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA, se janë kryer një sërë punimesh në shkollat e kryeqytetit përpara fillimit të vitit të ri mësimor, ku ndërhyrjet më të shumta kanë të bëjnë me sigurinë në shkolla. Drejtori i Përgjithshëm i Manaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli, u shpreh se, “Nga ana jonë është bërë e mundur marrja e masave për sigurinë e fëmijëve në ato shkolla që ndodhen në rrugët kryesore dhe hyrja dhe dalja nga to përbën një problem për nxënësit. Brenda muajit shtator 24 shkolla do të kenë sinjalistikë të nevojshme rrugore si dhe instalim të plotë të kangjellave që nuk lejojnë kalimin e nxënësve gjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Bashkia e Tiranës nuk do të mjaftohet vetëm me këto masa të marra në fillim të vitit të ri shkollor por do të vijojë me zgjidhjen e të gjitha problemeve që mund të hasen gjatë vitit”. Sipas tij po në këtë linjë, administrata e Bashkisë së Tiranës po kryen edhe veprime të tjera që kanë të bëjnë me rikonstruksione, si lyerje, heqje lagështire, apo rregullime të sistemit të ngrohjes. Theksohet se, falë ndërhyrjeve të Bashkisë, do të fillojnë vitin e ri mësimor 3 shkolla në kryeqytet, “Ahmet Gashi”, “Servete Maçi” dhe “Siri Kodra”. Mësohet se këto shkolla ishin mbyllur nga Instituti i Shëndetit Publik për shkak të mosplotësimit të kushteve higjieno-sanitare. Marrja e këtyre masave nga ana e Bashksië së Tiranës, vjen si rrjedhojë e plotësimit të kushteve dhe lehtësimin e ciklit të mësimit, duke u krijuar nxënësve dhe mësuesve kushte më të mira gjatë muajve të gjatë të vitit shkollor. a.y/NOA
Në foto: Kangjellat e reja të vendosura pranë shkollës "Skënder Caci"